Ia ruante armën të vëllait, dënohet me 450 euro gjobë

Shehap Vuran, është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 450 euro gjobë.

Vuran, u akuzua nga prokuroria për veprën penale armëmbajtje pa leje.

I akuzuari fillimisht kishte arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë në Prokurori.

Në shqyrtimin e sotëm, i akuzuari deklaroi se e ndiente vetën fajtor, shtoi se ka gabuar si dhe luti gjykatën që ta pranojë marrëveshjen e arritur në prokurori.

Kryetarja trupit gjykues Raima Elezi, aprovoi pranimin e fajësisë dhe të akuzuarin e gjykoi me dënim me gjobë në shumën prej 450 euro.

I njëjti u obligua që të paguaj paushallin gjyqësor në shumën prej 50 euro si dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Me anë të këtij aktgjykimi të akuzuarit gjithashtu i është konfiskuar edhe arma.

Sipas aktakuzës, Shehap Vuran nga data e pavërtetuar e deri më 5 korrik 2021, ka pasur në posedim dhe kontroll armën – pushkën e gjuetisë dy tytëshe dhe dy fishek në kundërshtim me ligjin.

Tutje në aktakuzë thuhet se këtë armë i njëjti e ka pasur në posedim në shtëpinë e tij në Dragash, armë kjo e vëllait të tij i cili kishte poseduar leje nga organi kompetent, ndërsa i pandehuri e ka mbajtur në shtëpinë e tij pasi i vëllai gjendje jashtë Kosovës.