Prapa grilave - Ilustrim

Ia mori 2650 euro për t`ia liruar nga burgu familjarin, gjykata merr këtë vendim ndaj të dyshuarit

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit G. K., për veprën penale të mashtrimit.

“Me 22 shkurt, (në orë të pacaktuar), në Prizren, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme apo duke i fshehur faktet me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, i pandehuri G. K., e mashtron të dëmtuarin T.M., duk e shtyrë atë që të veproj në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që i pandehuri G. K., pasi bie në kontakt me të dëmtuarin nga i njëjti merr shumën e të hollave prej 2 mijë e 650 euro”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas njoftimit të gjykatës, këto të holla janë marrë kinse për të ndihmuar në nxjerrjen nga burgu një familjar të të dëmtuarit, ndërsa i pandehuri i ishte prezantuar të dëmtuarit se kishte ndikim te prokurorët dhe duke theksuar emrin e një gjyqtari, të cilat fakte do të vlerësohen në fazat e procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Sadije Selmani, ka shqiptuar paraburgimin si të arsyeshëm në ligj dhe të njëjtit do t`i llogaritet prej kohës së arrestimit me datë 22 shkurt 2021, deri me datën 22 mars 2021.

Gjykata ka njoftuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh edhe karakteristikat e të pandehurit për të cilin shihet se ka një mori veprash penale nga data baza e Policisë së Kosovës.