I vrari në shkëmbim zjarri me Policinë në Prizren, 'Qorri' kishte 25 aktakuza në Gjykatë

Mbrëmjen e 22 shtatorit, në një shkëmbim zjarri me Policinë e Kosovës kishte mbetur i vrarë Besnik Shala i njohur me nofkën “Qorri”.

32 vjeçari nga Prizreni, ishte duke u kërkuar me fletë arrest nga Prokuroria si i dyshuar për veprën penale vrasje në tentativë e ndodhur me datë 16 shtator.

Viktima Besnik Shala u vra gjatë një përleshje të armatosur me forcat e Policisë, ndaj të cilave ai kishte shtënë porsa e kishte parë njësitin policor, që kishin shkuar për ta arrestuar.

Pos armës që kishte shtënë në drejtim të Policisë, “Qorri” me vete kishte pasur edhe dy granata dore.

Zëdhënësja e Gjykatës së Prizrenit një përgjigje për KALLXO.com ka njoftuar se ndaj Besnik Shalës në Gjykatën e Prizrenit kanë qenë të pranuara gjithsej 25 aktakuza nga ana e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Këto aktakuza lidhen për vepra penale të ndryshme si: kanosje, lëndim i lehtë trupor, mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të  armëve, vjedhje e rëndë, vjedhje e rëndë në tentativë, vjedhje e rëndë në bashkëkryerje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Për këto aktakuza, pranë Gjykatës së Prizrenit ka lëndë të zgjidhura me aktgjykim, por ka edhe lëndë aktive.

Për lëndët aktive që kanë qenë duke u zhvilluar pranë gjykatës për Besnik Shalën gjykata ka lëshuar disa urdhër arreste, për të siguruar prezencën e tij, pasi që i njëjti që një kohë ka qenë në arrati dhe i pakapshëm për organet e drejtësisë.

Sa i përket këtyre veprave penale të gjykuara me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Prizrenit, “Qorri” ka mbajtur 29 muaj e 10 ditë burgim efektiv.

Kurse për herë të fundit “Qorri” ka qenë i dënuar me 8 muaj burgim efektiv, ndërsa që nga data 1 tetor të këtij vitit i njëjti ishte i kërkuar me urdhër arrest për të shkuar në vuajte të dënimit.

Pamje nga vendi ku u vra nga Policia i kërkuari për tentim vrasje