Foto: Kallxo.com

I vjen fundi gjykimit të përsëritur për plagosjen në qendër të Pejës

Procesit gjyqësor në Gjykatën e Pejës për rastin e plagosjes se katërfishtë që kishte ndodhur para dy viteve në qendër të Pejës, po i afrohet fundi.

Në incidentin e 7 qershorit 2017 ishin plagosur Nexhdet dhe Bekim Kastrati, si dhe dy kalimtarë rasti.

Për këtë akuzohen Gëzim Hoxha dhe dy djemtë e tij, Rrethimi dhe Rrezoni.

Kujtojmë se Gjykata e Pejës i ka shpallur fajtor Gëzim e Rrethim dhe Rrezon Hoxha, por pas ankesës se mbrojtjes, rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

VIDEO: Shpallet Aktgjykimi për Plagosjen e Katërfishtë në Pejë

Sot gjykimi vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve në procedure.

Prokurorja e shtetit Sahide Gashi në fjalën përfundimtare tha se pas ekzaminimeve shtesë dhe provave të administruar në këtë shqyrtim është vërtetuar qe të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilat akuzohen.

Ajo i propozoi Gjykatës qe të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gëzim Hoxha, avokati Florent Latifi, tha se qëndron pranë fjalës përfundimtare në shqyrtimin e kaluar, duke shtuar se dispozitivi i parë i aktakuzës sot ndërroi për herë të tretë dhe atë substancialisht duke sjellë përsëri për herë të tretë paqartësi për mbrojtjen,  ngase, sipas tij, nëse i behët një vështrim pikës se parë të aktakuzës me shpjegimet e marrëveshjes paraprake, bashkëkryerjen dhe dashjen qe janë paraqitur në fjalën përfundimtare të prokurores, shihet disproporcioni.

Sipas avokatit, i mbrojturi i tij ka vepruar në kuadër të mbrojtjes se nevojshme, andaj ai kërkoi që klienti i tij të lirohet nga akuza.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Rrethim Hoxha, avokati Gani Kelmendi, i dorëzoi  Gjykatës fjalën përfundimtare me shkrim.

Ramë Dreshaj, në cilësinë e  mbrojtësit se të akuzuarit Rrezon Hoxha, tha se fjala përfundimtare e dorëzuar sot me shkrim është e modifikuar nga fjala e tij përfundimtare e mëhershme, ngase prokuroria, kur filloi rigjykimi, ka bërë precizimin e dispozitivit të parë të aktakuzës që ishte objekt shqyrtimi.

Sipas tij prokuroria nuk ka qenë fare e interesuar ta vërtetojë motivin e kryerjes se kësaj vepre penale.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Kamerieri Dëshmon për Plagosjen e Katërfishtë në Pejë

Trupi gjykues me kryetar Sami Sharraxhiu tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 30 tetor 2019.