I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit për vrasjen dhe djegien e vëllait në Rahovec

Gjykata në Gjakovë e ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë për G.K., i dyshuar për vrasjen e vëllait të tij në një fshat të Rahovecit.

Muajin e kaluar Gjykata kishte caktuar paraburgimin prej një muaji ndaj të dyshuarit.

Ai dyshohet se e ka vrarë dhe më pas djegur kufomën e vëllait të tij në fshatin Bërnjak të komunës së Rahovecit.

Prokurori Ali Uka konfirmoi për KALLXO.com se të dyshuarit G.K. i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

G.K. dyshohet se më 11 shkurt 2020, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka vrarë vëllain e tij B.K.

64 vjeçari B.K., kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, ndërsa ishte raportuar nga gruaja e tij në Polici si person i zhdukur që nga 14 shkurti.

Për këtë rast, prokurori Ali Uka tha se të gjitha provat janë të drejtuara tek i dyshuari G.K., dhe se kufoma e të ndjerit ende nuk është gjetur.

Prokuroria pretendon se në orën 11:00 të 11 shkurtit, i ndjeri B.K., derisa ishte duke biseduarnë telefon në shtëpinë e tij, ishte qëlluar disa herë me armë nga i vëllai.

Sipas prokurorisë, pas 7 ose 8 orësh, i dyshuari G.K., ishte kthyer në vendin e krimit, kishte tërhequr zvarrë me batanije trupin e pajetë dhe në oborr prapa shtëpisë e kishte mbuluar me gjësende të ndryshme dhe i kishte vënë flakën.

Më pas, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve, mbetjet e pjesëve të kockave i kishte hedhur jashtë shtëpisë në skaj të rrugës.

Por, pas këtyre veprimeve, duke kaluar kështu gati dy muaj, i dyshuari G.K. ishte arrestuar nga ana e Policisë më 9 prill.

https://kallxo.com/lajm/detaje-te-reja-per-vrasjen-e-mergimtarit-nga-zvicra-nga-vellai-i-tij-i-dyshuar/

G.K., 59 vjeçar, gjatë intervistimit e kishte pranuar veprën penale, pasi që në vendin e ngjarjes ishin gjetur disa mbetje të viktimës.

Andaj i njëjti po dyshohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, në cilësinë e provave materiale ishin sekuestuar një sasi e konsiderueshme e parave, të cilat pas kryerjes së veprës penale dyshohet se janë përvetësuar nga i dyshuari si dhe dy armë të mbajtura pa leje bashkë me municion, nën dyshimin se ishin përdorur për kryerjen e krimit.