Polici i vrarë në Istog, Izet Demaj. Foto: Kallxo.com

I rritet dënimi të akuzuarit për grabitjen ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj

Dy vite burg i janë shtuar dënimit të Ujkan Metajt, i dënuar për ndihmë në grabitjen në bankën ‘NLB’ në Istog.

Metaj ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me pesë vite burg.

Lajmin për rritjen e dënimit në shtatë vite burgim ndaj të akuzuarit Ujkan Metaj, për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i tij, avokati Arben Kelmendi.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga KALLXO.com thuhet se “sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata e shkallës së parë, në këtë çështje penalo – juridike, ndonëse drejtë i ka konstatuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të njëjtat nuk i ka vlerësuar realisht dhe atë sidomos rrethanën lehtësuese, si shkallen e kontributit të akuzuarit në kryerjen e veprës penale, ngase sipas Apelit rrethana në fjalë duhet të konsiderohet si rrethanë rënduese e jo lehtësuese”.

“…Kur merret parasysh fakti se i akuzuari, pasi e zbret nga automjeti tani të ndjerin e bënë edhe njëherë vëzhgimin e terrenit dhe atë para se tani i ndjeri të fillojë kryerjen e veprës penale, prandaj, rrethana në fjalë është rënduese e jo lehtësuese…”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Në vendimin për rritjen e dënimit, Gjykata e Apelit ka marrë për bazë edhe faktin se ndaj të akuzuarit është duke u zhvilluar edhe një procedurë tjetër penale.

“…Duke pasur parasysh edhe sjelljen e të akuzuarit Ujkan Metaj, para kryerjes së veprës penale, ku për të njëjtin është duke u zhvilluar procedurë penale dhe atë për vepër penale të vrasjes në tentativë, që nënkupton se i akuzuari ka prirje në kryerjen e veprave penale të natyrë së rëndë”, thuhet më tej në këtë vendim.

Duke u bazuar në këto rrethana, në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se dënimi i shqiptuar nga Gjykata e shkallës së parë është  i butë prandaj kjo Gjykatë e ndryshoi aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarit Ujkan Metaj i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vjetësh.

Kujtojmë që gjatë kësaj grabitjeje të armatosur në Istog, në një aksion të Policisë për qëllim të parandalimit të grabitjes ishte vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Demaj.

Po ashtu i vrarë kishte mbetur edhe personi që dyshohet se ka tentuar ta grabis bankën, Kamer Metaj.

Në nderim të policit të vrarë, Izet Demaj, në Kosovë ishte mbajtur ditë zie si dhe Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ndajë një shumë simbolike, prej 15 mijë eurosh për familjen e tij.

VIDEO – Rrëfehen familjarët e policit të vrarë, Izet Demaj