I riu nga Shqipëria gjykohet në Kosovë për drogë dhe kalim ilegal të kufirit

Fation Shota dhe Astrit Ibishi po akuzohen për shitje, blerje dhe shpërndarje të narkotikëve.

Shota, nga Fushë Kruja e Shqipërisë po akuzohet edhe për kalim illegal të kufirit Shqipëri- Kosovë.

Sot, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Ndërsa mbrojtësit e tyre avokatët Feride Xani dhe Isa Salihi, kërkuan nga Prokuroria që ta bëjë precizimin e aktakuzës sa i përket peshës së substancës narkotike.

Gjatë leximit të provave nga gjyqtari Gëzim Pozhegu, të gjitha palët kishin vërejtje, me arsyetimin se nga raporti i policisë mund te ketë gabime të mundshme rreth peshës së narkotikut.

Në ndërkohë, prokurori Ramiz Buzhala, kërkoi nga gjykata që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet oficeri policor Labinot Morina, me qëllim të qartësimit të peshës narkotike.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu dhe anëtarët Manduhije Syla dhe Mizair Shabani, caktuan ditën e nesërme për mbajtjen e gjykimit.

Sipas aktakuzës, Fation Shota dhe Astrit Ibishi në kufirin Qafë-Morinë kishin importuar marihuanë në peshë prej 1.5 gram.

Pastaj, sipas aktakuzës, me taxi kanë shkuar në qytetin e Tropojës, ku Fation Shota kishte lënë takim me një vajzë nga Lushnja dhe marihuanën e kishte vendos në trup.

Aktakuza shpjegon se më pas dy të akuzuarit kishin shkuar në kufirin Qafë-Morinë dhe Fation Shota në mënyrë ilegale kishte tentuar ta kaloj kufirin, por ishte arrestuar nga zyrtarët policor, ku nga ekzaminimi laboratorik është konstatuar se kishte kanabis marihuanë në peshë prej 1.61 gram.

Si vazhdim i kësaj, aktakuza thotë se Fation Shota duke anashkaluar vendkalimin e autorizuar kufitar të Kosovës me Shqipërinë, në mënyrë ilegale përmes rrugëve malore ka hyrë në teritorin e Kosovës dhe i njëjti është arrestuar.