
I ofroi 10 euro zyrtarit policor, dënohet me 6 muaj burgim
Gjykata e Prizrenit e ka dënuar me 200 euro gjobë dhe me 6 muaj burgim të akuzuarin Shpëtim Jonuzi për shkak se u gjet fajtor për dhënie ryshfeti.
I akuzuari Shpëtim Jonuzi, në shqyrtimin fillestar gjatë ditës së sotme e ka pranuar fajësinë për veprën të cilën e ngarkoi Prokuroria.
Me pëlqimin e të akuzuarit dënimin me burgim Gjykata ia zëvendësoi me dënimin me gjobë në shumën prej 600 euro.
Në këtë dënim, të akuzuarit gjithashtu do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Sipas Prokurorisë me 5 korrik 2021, në pikën kufitare në Vërmicë, i akuzuari në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar që ky i fundit të mos veprojë në pajtim me detyrën zyrtare.
Tutje akuza e Prokurorisë thotë se derisa ishin duke udhëtuar nga Republika e Shqipërisë për në Kosovë për mes autobusit, me ç’rast zyrtari policor verifikon ndalesën hyrëse të bashkëshortes së të akuzuarit, i pandehuri Shpëtim Jonuzi në atë moment nxjerr nga xhepi kartëmonedhën 10 euro dhe ia ofron policit kufitar i cili e njofton mbikëqyrësin e tij dhe ndalohet në Polici.
Me këtë Shpëtim Jonuzi sipas Prokurorisë u akuzua se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit.