Foto-ilustrim

I kërkuari nga Interpoli punonte në ‘Call center’ në Prishtinë

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar 40 ditë paraburgim Sinan T., shtetasit gjerman që u arrestua me kërkesë të Interpolit.

Sinan T., i cili ka edhe shtetësi turke, dyshohet për një grabitje të armatosur në Gjermani.

Ai po strehohej në Kosovë ku kishte gjetur punë.

Në vendimin e Gjykatës, të cilin e ka parë KALLXO.com është përmendur se Sinan T. ka mohuar fajësinë për veprën penale duke pretenduar se është i pafajshëm.

Ai ka treguar se jeton në Kosovë dhe kishte gjetur punë te biznesi i një shqiptari në ‘Call center”, në Prishtinë.

Vendimi është i apelueshëm ndërsa brenda 40 ditësh do merret vendimi për ekstradimin ose jo të njeriut me dy shtetësi.

Lidhur me vendimin e Gjykatës, avokati i të pandehurit, Nasuf Hasani, tha për KALLXO.com se caktimi i kësaj mase është i pabazuar ngase, sipas tij, Prokuroria me asnjë fakt nuk ka arritur ta artikulojë kërkesën sipas Ligjit për bashkëpunim juridiko-ndërkombëtar, respektivisht kërkesa ishte e mangët dhe e pa bazuar.

“Gjykata është dashur ta marrë parasysh gatishmërinë e mbrojtjes sa i përket ofrimit të garancisë-dorëzanisë në të holla, për këtë arsye fuqishëm e kontestojmë këtë vendim. Mbrojtja do të paraqes ankesën brenda afatit prej 24 orësh, prandaj shpresojmë në një vendim të drejtë nga Gjykata e Apelit”, tha avokati Nasuf Hasani.