Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

I kërkuari nga Gjemania kërkon azil politik në Kosovë

Sot në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca për ekstradimin e të kërkuarit Sinan Tatarrogu në Gjemani.

I kërkuari Sinan Tatarrogu është i akuzuar në Gjermani për veprën penale të grabitjes për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vjet burg.

Ndaj Sinan Tatarrogut, aktgjykimi për dënim ka marrë formën e prerë por ai është arratisur nga Gjermania në Kosovë.

Më 20 shtator, gjykata në Prishtinë i kishte caktuar Tatarrogut masën e paraburgimit prej 40 ditësh.

Në seancën e sotme mbrojtësi i të kërkuarit, avokati Ahmet Tahiri, kërkoi që të ndërpritet procedura për ekstradimin e klientit të tij meqë ai ka kërkuar azil politik në Kosovë.

“Fillimisht duhet  të vendoset mbi procedurën e  azilit dhe varësisht nga epilogu i kësaj procedure të vendoset për ekstradimin”, tha avokati Ahmet Tahiri.

Ai i propozoi gjykatës që t’i njoftojë organet kompetente lidhur me azilin apo strehimin politik.

Ndërsa prokurori i rastit Hivzi Sylejmani, deklaroi se Sinan Tatarrogu duhet të ekstradohet në Gjermani sepse, sipas tij, ai është arratisur nga Gjermania dhe 8 muaj ka qëndruar në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë.

“Sinan Tatarrogu kur ka hyrë në territorin e Kosovës është dashur ta kërkojë azilin politik”, deklaroi prokurori Hivzi Sylejmani.

Prokurori dekalaroi se nuk ka arsye të kërkohet azil politik sepse bëhet fjalë për veprën penale të grabitjes dhe se në shtetin gjerman nuk i shkelet asnjë e drejtë dhe nuk i rrezikohet jeta.

Gjithashtu prokurori Hivzi Sylejmani tha se janë përmbushur kushtet  për ekstradimin e të kërkuarit.

Sinan Tatarrogu deklaroi se e përkrah në tërësi mbrojtësin e tij, gjithashtu deklaroi se nuk e kishte  kryer atë vepër penale në Gjermani.

#Kërkesë për Ekstradim, Sinan Tatarrogu, Hivzi Sylejmani, Alltn Murseli.