Ilustrim

I kërkuari i Kosovës arrestohet në Rinas

Policia Kufitare në Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana kanë kapur dy persona që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar. Njëri prej tyre ka qenë i shpallur në kërkim nga Kosova dhe tjetri nga Italia.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për kapjen e pesonave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, kanë bërë kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi të dy shtetasve, të cilët gjatë përpunimit të dokumentacionit kanë rezultuar persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasi shqiptar A.P., 40 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Roma.

Gjykata e Venecias, Itali, ka lëshuar urdhër-arrest për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Gjithashtu po në Rinas nga shërbimet e Policisë Kufitare u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Kosovës i shtetasit kosovar R.Xh., 39 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK, pasi autoritetet gjyqësore kosovare, kanë lëshuar urdhër-arrest për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën dhe Policinë e Kosovës po vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.