Shtëpia e Iran Badallit ku ndodhi shpërthimi që vrau policin Sami Thaqi - Foto: KALLXO.com

Vrasja e policit Sami Thaqi, Apeli lë në burg Iran Badallin

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të Iran Badallit, avokatit Erdin Thana, për ndërprerjen e paraburgimit për klientin e tij dhe zëvendësimin me arrest shtëpiak apo ndonjë  masë tjetër më të lehtë.

Iran Badalli dyshohet për tri vepra penale, që rezultuan me vdekjen e zyrtarit policor Sami Thaqi dhe plagosjen e dy policëve të tjerë në Zhur të Prizrenit më 28 janar të këtij viti.

Sipas Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore janë të pabazuara, ngase në aktvendimin e ankimuar, gjyqtari i procedurës paraprake drejt ka arsyetuar dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, kusht ky qenësor për vazhdimin e paraburgimit.

Në vendimin e Apelit thuhet se Gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën ligjore për të cilën e ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit dhe drejt ka vepruar kur të njëjtit i ka vazhduar këtë masë.

Sipas Apelit, caktimi i paraburgimit është i nevojshëm për shkak të sigurimit të prezencës së të pandehurit, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale.

KALLXO.com ekskluzivisht ka raportuar për ngjarjen e ndodhur natën e 28 janarit.

Iran Badalli ka mohuar të gjitha pretendimet e  Prokurorisë së Prizrenit se ai është përgjegjës për shpërthimin ku vdiq polici Sami Thaqi e u plagosën dy policë të tjerë.

Hetimet e para të Prokurorisë kanë zbardhur se i dyshuari kishte vendosur eksploziv të llojit “TNT” në shtëpinë e tij.

Badalli po dyshohet të ketë kryer tri vepra penale: Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, që ka rezultuar me vdekjen e policit Sami Thaqi; shkaktim i rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me lëndime të rënda trupore për zyrtarët policorë, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj; si dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Prizrenit, i dyshuari me anë të eksplozivit ka shkaktuar rrezik të madh që ka rezultuar me vdekjen e zyrtarit policor Sami Thaqi.

I njëjti po dyshohet se në dhomën e katit të dytë në shtëpinë e tij ka kurdisur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit ‘TNT’.

Me rastin e bastisjes nga Policia dhe kontakti fizik me telin detonues ka shpërthyer eksplozivi, me ç’rast ka vdekur polici Sami Thaqi, e gjithashtu lëndime të rënda kanë pësuar edhe dy zyrtarët tjerë të Njësitit Anti-Drogë.