I ekstraduari nga Zvicra nuk e pranon fajësinë për akuzën për grabitje të vitit 2013

Ilir Isufi ka dalë sot para Gjykatës së Pejës për t`u përballur me akuzën e prokurorisë për grabitje.

Ai është ekstraduar nga shteti i Zvicrës përmes letërrreshtimit ndërkombëtar, ndërsa sot nuk e pranoi fajësinë për akuzën që i bie në barrë.

“Nuk e ndij vetën fajtor”, u deklarua para gjykatës.

Isufi po akuzohet se me armë dhe në grup me Xhavit Berisha dhe Xhevat Daciq kanë kryer një grabitje duke plagosur të dëmtuarin Izet Honsiq.

Xhavit Berisha dhe Xhevat Daciq janë në vuajte të dënimit për këtë vepër, pasi janë gjetur fajtor nga gjykata, ndërsa Ilir Isufi ka qenë në kërkim nga organet e drejtësisë.

Meqenëse i akuzuari Isufi nuk e pranoi fajësinë, ai u njoftua sot nga gjykata për të drejtën për të kundërshtuar aktakuzën dhe provat e saj.

Ndërsa, prokurorja e rastit Lumturije Vuçetaj kërkoi nga gjykata që i akuzuari të mbahet në masën e paraburgimit, pasi sipas saj ekziston rreziku që ai të i shmanget organeve të drejtësisë nëse lihet në arrest shtëpiak.

Kjo sipas prokurores mund të ndodhë pasi që i akuzuari ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes, dhe është arritur të sigurohet vetëm përmes letërrreshtimit ndërkombëtar.

Ndërsa në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollqaku, e kundërshtoi propozimin e prokurores që i mbrojturi i tij të mbahet në masën e paraburgimit.

Sipas avokatit, klienti i tij ka qenë dëshmitar në këtë proces, dhe nuk është dyshuar që ka qenë pjesëmarrës në kryerjen e kësaj vepre për të cilën tash po akuzohet.

“I mbrojturi im është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, që do të thotë se atëherë nuk është dyshuar që është pjesëmarrës në kryerjen e kësaj vepre penale, e pas parasysh që i mbrojturi im ka jetuar edhe me parë në shtetin zviceran, nuk ka pas ide që po dyshohet për një vepër të cilën nuk e ka kryer”, tha avokati Kollqaku.

Avokati shtoi që i mbrojturi i tij premton se nuk do të largohen nga shtëpia e tij në fshatin Katund i Ri, dhe do t’i përgjigjet çdo ftesë të gjykatës.

Për këtë gjykatësi tha se do të vendosë jashtë seancë.

Sipas aktakuzës ky rast ka ndodhur më 29 dhejtor të vitit 2013, ku i akuzuari Ilir Isufi dhe dy të dënuarit Xhavit Berisha dhe Xhevat Daciq kanë sulmuar jetën e Izet Honsiq dhe Gazmend Shaqirit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Kështu sipas dosjes së prokurorisë, i akuzuari Ilir Isufi e ka përcjellë për 3 natë të dëmtuarin Izet Honsiq, dhe kur e kishte kuptuar se i dëmtuari ka një shumë të madhe të parave të fituar gjatë lojës së klientëve në bastore, ai i kishte njoftuar dy të dënuarit tjerë Xhavit dhe Xhevatin për të hyre që të kryejnë grabitjen.

Prokuroria thotë se i akuzuari Ilir del së bashku me klientët tjerë që kanë qenë duke luajtur bastore, ku pas kollitjes së tij,  dy të dënuarit Xhavit dhe Xhevat hyjnë në lokal.

Sipas aktakuzës i dënuari Xhevat Daciq shtënë në drejtim të dëmtuarit Izet, duke e plagosur, ndërsa i dënuari tjetër Xhavit Berisha ia merr të hollat të dëmtuarit, por që pas rezistencës së të dëmtuarit, i dënuari  Xhevat shtënë prapë me armë të dëmtuarin duke e plagosur përsëri.

Aktakuza thotë se i dëmtuari tjetër Shaqiri largohet duke u fshehur në podrum.

Shuma që prokuroria po pretendon se është marrë nga i dëmtuari Honsiq është 8000 mijë euro. Kjo shumë e të hollave sipas aktakuzës është ndarë në mes të të akuzuarit Ilir Isufi dhe të dënuarve Xhavit Berisha dhe Xhevat Daciq.