I dyshuari për vrasjen me eksploziv në Smolicë të Gjakovës sillet në gjykatë nën masa të rrepta të sigurisë

D. Gj., i dyshuar për vraje në Smolicë të Gjakovës, nën masa të rrepta të sigurisë është sjellë në Gjykatën e Gjakovës. Ai u soll i prangosur dhe i shoqëruar nga njësitet speciale.

Ndaj tij, po mbahet seanca paraprake, nën udhëheqjen e gjykatësit Nikollë Komani.

D. Gj., është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë, pasi dyshohet për vrasjen me eksploziv në fshatin Smolicë të komunës së Gjakovës.

Prokuroria e Prizrenit pritet të paraqesë kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit, ndërsa Gjykata e Gjakovës pritet që më pas të vendosë rreth kësaj kërkese.

Në këtë rast, në po këtë seancë dëgjimore apo paraprake nuk janë lejuar monitoruesit. Kjo gjë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe se i njëjti rast ende është nën hetime.

KALLXO.com ka raportuar edhe gjatë ditës së djeshme për këtë rast.

Ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë, i dyshuari për vrasjen në Smolicë të Gjakovës

Në mëngjesin e vitit 2018, kishte ndodhur një shpërthim eksplozivi në një derë të shtëpisë në fshatin Smolicë të komunës së Gjakovës.

Si pasojë e këtij shpërthimi, kishte mbetur i vdekur 61 vjeçari Haxhi Ahmeti, në derën e oborrit të shtëpisë së tij.

Pas këtij rasti të dyshimtë, Policia dhe Prokuroria nuk kishin identifikuar apo arrestuar ndonjë person të dyshuar.

Në tetor të vitit 2020, Policia e shtetit kishte njoftuar se ishte arrestuar një 41 vjeçar nga Shqipëria, i kërkuar lidhur me vrasje në Kosovë me armë e eksploziv.

Në këtë rast, KALLXO.com ka kuptuar se Prokuroria e Gjakovës nuk do të jetë kompetente për zhvillimin e hetimeve, kjo pasi që avokati i të dyshuarit kishte kërkuar përjashtimin e kësaj Prokurorie dhe hetuese do të jetë Prokuroria e Prizrenit.

Në korrik të vitit 2020, KALLXO.com raportoi në lidhje me vrasjet e mistershme me bomba të telekomanduara në Gjakovë.

Ganiu kishte rrëfyer se si kishte mbetur i vetmi nga burrat e familjes Ahmeti në Smolicë të Gjakovës pasi vëllai Ali Ahmeti, 29 vjeçar, kishte mbetur i vrarë në vitin 2013 ndërsa babai mbeti i vrarë me eksploziv në dhjetorin e vitit 2018 ne hyrje të shtëpisë.

“Në fundin e viti 2013 mu ka vra vëllai Ali Ahmeti, 29 vjeçar. Mu ka vra nga axha që quhet Abaz Ahmeti. E ka thirrë në telefon vëllai, ka shku me pi një kafe edhe gjoja ka pasë një mosmarrëveshje brenda shtëpisë edhe vëllai u dalë. Duke i mbathë këpucët, ai e ka vra pas shpinës në shkallët e shtëpisë. Axha u dënu njëherë 12 vjet e gjysmë nga gjykata e Gjakovës pastaj gjykata e Apelit ia ka lanë 9 vjet dënimin. E tash në fundin e vitit 2018 mu ka vra baba me eksploziv në derën e shtëpisë. Ai ka qenë në Gjermani dhe ka ardhur në pushim. Kur e ka hapë derën e shtëpisë i ka krisur eksplozivi në trup dhe ka mbetë i vdekur”, kishte thënë Gani Ahmeti.

E tërë ngjarja e shpërthimit të eksplozivit ndaj babait të Ganiut ishte filmuar nga kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në shtëpinë e tyre. Eksplozivi që doli të ishte fatal për 61 vjeçarin Haxhi Ahmeti ishte vendosur ne kutinë postare afër derës së shtëpisë dhe në momentin kur ai ishte afruar, eksplozivi kishte shpërthyer.

“Eksplozivi ka qenë i vendosur këtu përpara në postën e shtëpisë, kamerat kanë qenë të vendosura kur ka ndodhë rasti dhe e kanë kapur krejt rastin nga kjo kamera aty përafërsisht 5 metra distancë personin e kanë kap mirë qartë shihet personi kur e vendos eksplozivin krejt”, kishte thënë Ahmeti.

Ai gjithashtu pretendonte se drejtësia e Kosovës nuk i ka zbardhur të gjitha rrethanat e vrasjes së vëllait të tij. Ai thotë se sikur drejtësia ta kishte kryer punën e vet si duhet në rastin e vëllait, babai i tij sot do të ishte gjallë.

“Unë po vazhdoj me kërku drejtësi dhe do të kërkoj sa të jem gjallë por deri tash hala drejtësi nuk kam parë. Sikur drejtësia ta kishte kryer punën mirë në rastin e vëllait, hala babën e kisha gjallë me i pas këqyr do sende qysh e tek kanë ndodhë e kush e ka bo e qysh e ka bo e kush e ka shti besoj shumë se babën e kisha gjallë po drejtësia fatkeqësisht nuk ka punuar ne rastin e vëllait si duhet”, pati thënë Ahmeti.

41 vjeçari D.Gj., është arrestuar gjatë ditës së sotme gjatë realizimit të një plani në bashkëpunim mes autoriteteve të rendit të Shqipërisë e Kosovës.

I dyshuari 41 vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë.

I njëjti sipas njoftimit të Policisë së Shtetit dyshohet se ka kryer disa vrasje në Kosovë me armë zjarri dhe eksploziv.

“41-vjeçari i dyshuar si vrasës me pagesë për disa vrasje në Kosovë, me armë zjarri dhe eksploziv”, thuhej në njoftim.

Tutje është thënë edhe se, në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, atë që janë të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, apo që kryejnë trafiqe të paligjshme, falë informacioneve policore dhe koordinimit të veprimeve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kalaja”.

“Në kuadër të këtij operacioni i cili u zhvillua nga Fast Albania, DVP Gjirokastër, DVP Lezhë e Shkodër, Interpol Tirana dhe Fast Kosova, u bë e mundur lokalizimi i vendndodhjes në Gjirokastër dhe më pas kapja e shtetasit shumë të kërkuar nga drejtësia e Kosovës, D. Gj., 41 vjeç, banues në Velipojë Shkodër”, thuhej tutje në njoftim.