Gjykata Themelore e Pejës. Foto: Atdhe Mulla.

I dyshuari arrestohet, Gjykata tregon si ndodhi dhunimi në katin e dytë të furrës

Gjykata në Pejë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh personit me inicialet Q.A., i dyshuar për trafikim me njerëz.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Pejës, i pandehuri gjatë muajve gusht – shtator 2012, në Banjë të Istogut, në bashkëveprim me persona të tjerë ka trafikuar viktimën A.S.

Gjykata thotë se i pandehuri paraprakisht e kishte strehuar viktimën në katin e dytë të furrës së tij dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimën pa vullnetin e saj për tre ditë.

Më pas, sipas gjykatës, ai e kishte thirrur një person tjetër i cili e kishte marrë viktimën me automjet dhe për këtë shërbim ia kishte dhënë 50 euro, e i cili pastaj e kishte dërguar viktimën në Prizren dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Me këto veprime i pandehuri Q.A dyshohet se ka kryer veprën penale trafikim me njerëz.

“Gjykata në këtë çështje juridiko penale, ka caktuar disa herë shqyrtim gjyqësor ku të bashkëpandehurit të tjerë kanë ardhur rregullisht, mirëpo i pandehuri Q.A nuk ka ardhur asnjëherë me arsyetim se i njëjti gjendet në botën e jashtme andaj, gjykata për të njëjtin ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në gjykatë, pastaj ka lëshuar letër rreshtim vendor, si dhe letër rreshtim ndërkombëtar, me ç ‘rast me datë 14.08.2019, i njëjti nga pjesëtarët e Stacionit Policor në Pejë është sjellë në gjykatë sipas letër rreshtimit ndërkombëtar dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës se Pejës.

Ndaj vendimit të Gjykatës në Pejë, mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.