ARKIV - Shaban Gogaj i përcjellë nga Njësia për Bartjen e të Burgosurve - Foto: KALLXO.com

I dënuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj dërgohet ta vuaj pjesën e mbetur të dënimit

Shaban Gogaj, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018, më 14.01.2025 ka filluar vuajtjen e dënimit me burg.

Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Elzana Kastrati.

“Ju njoftojë se i dënuari Sh. G., ka filluar vuajtjen e dënimit më datë 14 janar 2025, sipas urdhëresës për ekzekutimin e sanksionit penal të kësaj gjykate me shenjën ED.I.nr.236/24”– thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës.

Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin Shaban Gogajt në 6 vjet e gjysmë burg.

Këtë vendim e kishte marrë kolegji i Gjykatës së Apelit në përbërje prej, Kadrie Goga- Lubishtani, Hashim Qollaku dhe Valbona Musliu- Selimaj.

Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje dhe i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj.

Ndërsa me vendim të Gjykatës Supreme më 24.10.2024 ishte liruar nga masa e paraburgimit.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.