I dënuar me 30 vjet burg për vrasje, Gëzim Retkoceri kërkon drejtësinë në Gjykatën e Apelit

I dënuar me 30 vjet burgim për vrasjen e Naim Hajrizit, i akuzuari Gëzim Retkoceri i është drejtuar për drejtësi Gjykatës së Apelit.

Sipas aktakuzës, me qëllim të fitimit të pasurisë, Retkoceri më 29 prill 2009 kishte rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, të cilin pasi e kishte vrarë e kishte djegur trupin e tij në fshatin Llugagji të Lipjanit.

Ndaj aktgjykimit të datës 21 janar, sipas të cilit Gëzim Retkocerii u dënua me 30 vjet burgim e Osman Spahiun me 10 vjet (ky është dënuar për dhënie të ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale), kanë ushtruar ankesë prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu dhe avokatja Kosovare Kelmendi.

“Apeli sot mbajti seancë të udhëhqur nga kryetarja e kolegjit Tonka Berisha, ndërsa gjyqtari raportues ishte Driton Muharremi”, tha për KALLXO.com Kosovare Kelmendi, avokate e të akuzuarit Gëzim Retkoceri.

Kelmendi për KALLXO.com tha se sot e ka elaboruar ankesën e parashtruar me shkrim dhe se ka kërkuar nga Gjykata që Gëzim Retkocerin ta lirojë nga akuza ose çështjen ta kthejë në rigjykim.

Kelmendi njoftoi se prezent ishte edhe vetë i akuzuari Gëzim Retkoceri, i cili nga Apeli kërkoi vetëm drejtësi.

Gjykata e Apelit lidhur me ankesën e avokates Kelmendi dhe Prokurorisë do të vendosë jashtë seancës.

Kujtojmë se më 4 maj 2016, Apeli e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë të dhënë më 15 korrik 2015 me të cilin Retkocerin dhe Spahiun i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim për vrasjen e rëndë të Naim Hajrizit në bashkëkryerje dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pasi lënda u kthye në rigjykim, Osman Spahiu kishte vendosur të fliste të vërtetën pas 10 viteve. Deklarimi i tij se i njëjti kishte blerë benzinë për të akuzaurin Spahiu, I kishte telefonuar vëllait të tani të ndjerit Hajrizi, duke i thënë se vëllanë mos e kërko në Polici se është në Shkup, kishte bërë që prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu, veprën penale ta kualifikonte nga vrasje e rëndë në dhënie të ndihmës kryerësit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale.

Ky dekarim i Osman Spahiut bëri që Gjykata t’i shqiptojë 10 vjet dënim me burgim i cili dënimin prej  10 vitesh e kishte mbajtur në paraburgim.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e njohur si “Çekiçi” mund t’i gjeni në këtë link.