Foto: Kallxo.com

I dëmtuari e pyet Faik Graincën: A i ke thënë vëllait tim 'ju jeni familje primitive'

Ish-drejtori i Urbanizmit në Ferizaj Faik Grainca dha mbrojtjen e tij të enjten dhe të premten në Gjykatën e Ferizajt.

Dy ditë radhazi 13 dhe 14 shkurt në Gjykatën e Ferizajt u dëgjua mbrojtja e ish drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca.

Ai para trupit gjykues të udhëhequr nga Sahit Krasniqi tregoi për veprimtarinë e tij gjatë ushtrimit të detyrës së tij si drejtor i Urbanizmit.

Faik Grainca, akuzohet nga Prokuroria e Ferizajt për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Grainca nuk kishte bërë verifikimin e nënshkrimeve të peticionit të qytetarëve për një rrugë.

Nënshkrimet kanë rezultuar të jenë të falsifikuara.

Bashkë me Graincën po akuzohen edhe Arben Kurteshi dhe Izer Ramadani për falsifikim të dokumentit.

“Unë kam qenë drejtori Urbanizmit dhe si drejtor kam pasur obligim t’i zbatoj politikat e kryetarit të komunës”, ka thënë Grainca në mbrojtjen e tij para gjykatës.

Ai tha gjithashtu se “nuk e ka pasur obligim” që t’i vërtetojë se nënshkruesit e këtyre peticioneve a janë pronarë te vërtetë të pronave ose qytetarë të asaj rruge sepse kjo, sipas tij, nuk kërkohet me asnjë dispozitë ligjore.

Me mbrojtjen e tij seanca gjyqësore ka vazhduar edhe të premten me pyetjet nga i dëmtuari Imri Haliti nëse Grainca i kishte kërkuar takim.

“Jo unë nuk kam kërkuar asnjë takim me juve”, tha Grainca.

I dëmtuari Imri Haliti e pyeti Graincën nëse është e vërtetë që në një takim me qytetarë i ishte drejtuar vëllait të tij, Bekim Halitit, me fjalët “Hesht se ju jeni familje primitive”.

Grainca u përgjigj se “nuk më kujtohet por nuk besoj se kam rënë në atë nivel”.

Më tutje i dëmtuari i parashtroi edhe disa pyetje tjera lidhur me dokumentet e lëshuara nga Komuna e Ferizajt dhe disa të ministrisë e të cilët janë administruar në fazën e provave po në këtë gjykatë.

Seanca e radhës në të cilën pritet të japin mbrojtjen Izer Ramadani dhe Arben Kurteshi u caktua për 17 dhe 18 mars.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, të cilën në këtë rast e përfaqëson Burim Çerkini, i akuzuari Faik Grainca në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkelur seriozisht të drejtat e personave të tjerë.

Grainca sipas Prokurorisë nuk i ka verifikuar nënshkrimet në peticionin e qytetarëve të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara edhe pse i pandehuri më parë ka qenë në dijeni se nënshkrimet në peticion janë të falsifikuara dhe si pasojë është lejuar që rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Më tej në aktakuzë thuhet se si rezultat i peticionit të falsifikuar Kuvendi Komunal ka aprovuar planin urbanistik.

Prokuroria akuzon edhe Izer Ramadanin dhe Arben Kurtishin se kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera me qëllim që të njëjtat nënshkrime në peticion t’i përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8 rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ kanë dhënë pëlqimin që kjo zone të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj lagjeje kanë qenë për banim individual.

Vazhdon gjykimi i Faik Graincës për peticionin e falsifikuar