Gjykimi në rastin 'Arratisja nga QKUK-ja' - 20.02.2020

I akuzuari Sami Lushtaku do operohet, shtyhet seanca e datës 24 shkurt për 'Arratisjen nga QKUK-ja'

Procesi gjyqësor  “Arratisja nga QKUK-ja” e Sami Lushtakut, ndahet procedura për 6 të akuzuar.

Gjykimi për ‘Arratisjen nga QKUK-ja’ ndaj komandantit të UÇK-së Sami Lushtaku tani i akuzuar bashkë me Ismet Haxhën, Sami Jasharin dhe 20 të tjerë u veçua procedura penale për 6 të akuzuar.

Në seancën e sotme mungoi i akuzuari Bajram Dibrani për të cilin avokati Petrit Dushi e njoftoi gjykatën se i akuzuari Dibrani i është nënshtruar një operacioni dhe nuk mund të prezantojë as në seancën e datës 24 shkurt.

E kur u pyet nga gjykata për raportin mjekësor për ta arsyetuar mungesën e të akuzuarit Dibrani dhe për ta bashkangjitur të njëjtin në dosjen penale avokati Dushi deklaroi  se “Nga viberi e kam pranuar mesazhin me epikrezi dhe nuk kam arritur ta shtypi e t’ua sjelli juve, por në kohë të shkurtër do ta sjelli në gjykatë”.

Ndonëse në seancën e kaluar të akuzuarit Emrush Thaçi, Bajram Dibrani dhe Shmesi Hajrizi, kishin kërkuar që ndaj tyre të veçohet procedura penale, trupi gjykues në krye me Shashivar Hotin pas dëgjimit të prokurores Florije Shamolli mori vendim me të cilin e veçoi procedurën penale ndaj të akuzuarve  Skender Tahiri, Bajram Dibrani, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Gjota, Sheremet Jashari, për veprat penale nga kapitujt 16, 17 dhe 18 të aktakuzës e që kanë të bëjnë me veprat penale ndikim në dëshmitarë.

Ndërsa avokati Artan Çerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku mbeti pranë propozimit që në këtë gjykim të dëgjohet ish-prokurori i EULEX-it Jonatan Ratel, në cilësinë e dëshmitarit.

Këtë propozim e kundërshtoi prokurorja e rastit Florije Shamolli me arsyetimin se Jonatan Ratel ka imunitet.

Në lidhje me këtë kundërshtim të prokurores Shamolli, avokati Çerkini i rikujtoi asaj se pasi që Jonatan Rateli nuk ka më ndonjë funksion në EULEX, i njëjti nuk ka as imunitet sepse imuniteti lidhet me ndjekjen penale e jo me dhënien e dëshmisë.

Poashtu prokuroria deklaroi sot se heq dorë nga dëgjimi i disa dëshmitarëve në mesin e të cilëve ishte edhe deputeti i PDK-së Hajredin Kuçi me arsyetimin se aktakuza nuk është mbështetur në këto dëshmi.

Prokuroja e rastit u obligua që në seancën e radhës t’i specifikojë të gjithat provat materiale pranë të cilave mbetet dhe këtë listë t’ua dorëzojë me shkrim të gjithë avokatëve që të kenë mundësi kundërshtimi për secilën provë veç e veç.

Seanca e datës 24 shkurt, u anulua për shkak se i akuzuari Lushtaku do t’i nënshtrohet një operacioni dhe seanca e radhës u caktua me 2 mars, e si seanca të mundshme u caktuan 10 dhe 13 mars.

Aktakuza përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burgim.