Foto-ilustrim

I akuzuari Rrahim Hashimi: Faton Dalladaku e shantazhoi Xhavit Halitin me video-incizime

Në gjykimin e tij dhe të Kadri Rexhepit për mashtrim, i akuzuari Rrahim Hashimi ka dhënë mbrojtjen e tij.

Hashimi edhe sot është deklaruar i pafajshëm.

I pyetur nga avokati i tij, Asdren Saramati, lidhur me provat e propozuara nga i dëmtuari Faton Dalladaku, të cilat e implikojnë atë, i akuzuari tha se pranon të ballafaqohet me “çdo provë të ligjshme”.

“Pranoj të ballafaqohem me çdo provë që është bërë me pajisje zyrtare, çdo provë që është marrë ligjshëm nga autoritetet bankare dhe çdo provë të ligjshme që është marrë nga operatorët telefonikë, ndërsa jo për provat që i ka sjellë Faton Dalladaku, që nuk iu kanë nënshtruar ekspertizës, nëse ka gjëra të fshira e të montuara aty”, tha i akuzuari.

Rrahim Hashimi tha se i refuzon dhe përçmon të gjitha “video-serialet” siç i quajti ai,  të prezantuara si prova, e të cilat, sipas tij janë të montuara, të prera dhe të manipuluara.

I akuzuari po fliste për disa video-incizime të bëra nga i dëmtuari Faton Dalladaku.

“Video dhe audio-incizimet në mënyrë abstrakte janë përdor sistematikisht nga Faton Dalladaku dhe grupet e rrugaçëve që i dërgonte ky, që nga viti 2014 e tutje, si kërcënim dhe shantazh”, shtoi i akuzuari.

Më tutje, ai shtoi se Faton Dalladaku i kishte përdorur këto prova edhe kundër shumë të tjerëve madje drejtpërdrejt edhe kundër Xhavit Halitit në vitin 2014.

“Ky i ka dërguar një SMS me përmbajtjen: Rrahim Hashimi me numër telefoni ****** është duke marrë para në emrin tuaj dhe në emër të PDK-së, nëse nuk merrni masa kundër tij, ne kemi disa incizime që dua bëjmë publike”, tha Rrahim Hashimi.

Ky shantazh, sipas tij, i ishte bërë Xhavit Halitit në prag  të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014.

“Meqë të njëjtat janë publikuar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2019, mendoj që Faton Dalladaku me mbështetësit e tij ndihen të përmbushur. Por e di sigurt se e kanë shumë gabim, se një ditë për të gjitha do të japin llogari para drejtësisë”, tha ai.

Hashimi gjatë gjithë mbrojtjes së tij deklaroi se ca pamje, video, janë marrë si të vërteta por që zëri dhe qëllimi/përmbajta janë manipuluar.

Vendimi i gjykatës: Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi mbesin në paraburgim

Gjykata e Prishtinës po gjykon Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin nën akuzat e Prokurorisë për mashtrim ndaj Faton Dalladakut, duke u paraqitur si njerëz të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin, në përpjekje për ta ndërtuar një spital në Prishtinë.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halilin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.

Seanca e radhës mbahet nesër.