I akuzuari pranoi fajin se kanosi prokurorin Prendrecaj në zyrën e tij në Pallatin e Drejtësisë
Mehmet Lajçi, i akuzuari se më datë 04.07.2024 kishte kanosur seriozisht në zyrën e tij prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë Zef Prendrecaj e ka pranuar fajësinë.
Aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë është bërë nga gjyqtari Dibran Jusufi në Gjykatën e Prishtinës.
Sot (09.08.2024) ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar, ndërsa para leximit të aktakuzës prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Dena Arapi- Vardari bëri të ditur se më datë 08.08.2024 është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë dhe arsyeja pse e njëjta nuk i është dorëzuar gjykatës ka të bëjë me faktin se marrëveshja ishte arritur dje.
Tutje, prokurorja Arapi- Vardari tha se qëndrojnë në tërësi prapa marrëveshjes.
“Ne qëndrojmë në tërësi pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë të lidhur më 08.08.2024 në mes të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të pandehurit Mehmet Lajçi në prezencën e mbrojtësit të tij. Gjykatës i propozojmë që kjo marrëveshje të aprovohet dhe ndaj të pandehurit të shqiptohet dënimi i rekomanduar”- tha prokuroja Dena Arapi- Vardari.
Ndërsa i dëmtuari deklaroi se për marrëveshjen për pranimin e fajësisë nuk e ka pasur rastin që ta shoh, por e mbështet deklarimin e prokurores së shtetit edhe dënimin e rekomanduar.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Mehmet Lajçi, avokati Skender Musa shprehu keqardhje për rastin si dhe deklaroi se mbështet deklarimin e prokurores.
“Në emër timin dhe të mbrojturit tim shpreh keqardhje për rastin e ndodhur, gjithashtu kërkoj falje në emër të të akuzuarit që ka ndodhur kjo kanosje. Ndërkaq sa i përket marrëveshjes për pranimin e fajësisë e përkrahim deklarimin e prokurores së shtetit, sepse marrëveshja është arritur në bazë të vullnetit të plotë të të akuzuarit”- tha avokati Musa.
Tutje, avokati Musa pas aprovimit të marrëveshjes së pranimit të fajësisë i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’i ndërpritet masa e paraburgimit nga dita e sotme, pasi që kanë pushuar kushtet ligjore që kjo masë të vazhdoj.
Ndërsa i akuzuari Mehmet Lajçi tha se e mbështet në tërësi deklarimin e mbrojtësit të tij.
Tutje, gjyqtari Dibran Jusufi lidhur me propozimin e avokatit Skender Musa tha se do të vendos me aktvendim të veçantë jashtë seance.
I dëmtuari në këtë rast Zef Prendrecaj nuk ka paraqitur kërkesën pasuroro-juridike, por tha se bashkangjitet ndjekjes penale.
Shpallja e aktgjykimit e këtij rasti do të bëhet brenda këtij muaji në Gjykatën e Prishtinës.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së datës 30.07.2024 i pandehuri Mehmet Lajçi akuzohet se më datë 04.07.2024 rreth orës 10:54 kishte shkuar në zyrën e Prokurorit Zef Prendrecaj në Prokurorinë Themelore në Prishtinë pa asnjë thirrje zyrtare dhe pasi i dëmtuari e kishte pranuar në zyrën e tij, i pandehuri kishte filluar ta kanosë seriozisht të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta.
Deri sa prokurori kishte qenë duke i dhënë njoftime lidhur me një lëndë të akuzuarit, në të cilën Lajçi ishte palë e dëmtuar, i pandehuri duke e pasur të veshur një antiplumb në trup kishte filluar të bërtasë dhe të ngrit tonin e zërit duke iu drejtuar të dëmtuarit “Ju po mbroni kriminelët, ju duhet tani me dal në vend të ngjarjes të ma ktheni pronën, të m`i ktheni sendet që gjenden në frigorifer, ju jeni kriminel se po i përkrahni kriminelët”.
Sipas dosjes së prokurorisë, i dëmtuari kishte kërkuar nga i pandehuri që të lirojë zyrën, dhe pas rezistencës së të pandehurit për të mos dalë nga zyra i dëmtuari detyrohet të thërret policinë.
Tutje, edhe pas ardhjes së policisë i pandehuri kishte refuzuar të dalë nga zyra duke u kapur për karrige, dhe pas vënies nën kontroll nga zyrtarët policorë, derisa i akuzuari ishte duke dalur nga zyra në prezencë të zyrtarëve policorë i është drejtuar të dëmtuarit duke i thënë “Po të kisha armë me veti do ta kisha vra prokurorin në zyrë edhe me ditë që 100 vjet burg i kisha marrë”, me ç’rast të dëmtuarit nga këto fjalë dhe veprime të i kishte shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij personale.
Me këto veprime i akuzuari nga Prokuroria po akuzohet për Kanosje.