Foto: KALLXO.com

I akuzuari: Po ta dërgonim Lushtakun në Burgun e Mitrovicës ekzistonte rreziku i kidnapimit nga strukturat paralele

Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për arratisjen e Sami Lushtakut, Ismet Haxhës dhe Sahit Jasharit nga QKUK  vazhdoi me deklarimin e të akuzuarve.

Përderisa Mërgim Lushtaku, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Argjend Brahimi, Dardan Geci, Valon Behrami, Ylber Blakaj, Xhevdet Zena dhe Gëzim Ahmeti u mbrojtën në heshtje, i akuzuari Shemsi Hajrizi, ushtrues detyre në kohën e veprës së pretenduar penale i drejtorit të Shërbimit Korrektues, para Gjykatës deklaroi se për ngjarjen  që ka ndodhur me 20 maj 2014 në QKUK informacionet i kishin marrë në mesditë.

Ai shtoi se kishin marrë një vendim nga gjyqtari i EULEX-it Darius Silicki.

“Urdhri i gjyqtarit ishte që 7 të paraburgosurit të transferohen nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë në Qendrën  e Paraburgimit në Mitrovicë”, tha Hajrizi.

Tutje, ai theksoi se që nga viti 2000 kanë qenë të informuar për gjendjen e Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë.

“Me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, 40 oficerë shqiptarë që ishin në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë ishin larguar me vendim dhe asnjë shqiptar nuk ka qenë i paraburgosur në Mitrovicë”, tha i akuzuari.

Në lidhje me pikën  e aktakuzës  që e ngarkon me refuzimin e zbatimit të vendimit të gjykatës, i akuzuari Hajrzi deklaroi se ai nuk e ka kthyer mbrapa vendimin “as me email, as me parashtresë e as me deklaratë publike”.

Por, i akuzuari deklaroi po ashtu se nuk zbatonte urdhra të tillë pa e ngritur nivelin e sigurisë për jetën dhe dinjitetin e të paraburgosurve.

E në lidhje me rrezikun që do u kanosej të paraburgosurve me transferimin e tyre në burgun e Mitrovicës, i akuzari Hajrizi tha se në rast se do të dërgoheshin atje ekzistonte rreziku “i kidnapimit nga struktuarat paralele”.

I pyetur nga i akuzuari Emrush Thaçi se a ka qenë në takim me prokurorin Jonathan Ratel dhe çfarë është thënë në atë takim, i akuzuari Hajrizi tha se në atë takim kanë diskutuar se po i marrim masat e sigurisë dhe se Rateli ka thënë: “Prej këtij momenti nuk vlen asnjë urdhr”, duke shtuar se, Ratel ka thënë po ashtu se po shkonte në QKUK për të biseduar me të paraburgosurit.

I akuzuari shtoi se prokurori Ratel kishte ndikuar në gjykatësin Silicki për të ndryshuar vendimin për transferimin e të paraburgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

“Dhe ai ndikoi drejtpërdrejt në urdhrin e gjyqtarit e jo ne”, deklaroi i akuzuari Shemsi Hajrizi.

Por, ai shtoi se për atë takim nuk ka procesverbal të mbajtur.

Shemsi Hajrizi, akuzohet se duke qenë ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Korrektues, ndërmjet 19 dhe 22 majit 2014, ka keqpërdoru pozitën e tij duke refuzuar zbatimin e vendimit të gjyqtarit për transferimin e të paraburgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.