Foto: Kallxo.com

I akuzuari për vrasjen e vitit 1999 thotë se po i rrezikohet jeta në burg nga “drogirashët”

Bujar Bajraktari, i akuzuar për vrasjen e një burri të komunitetit rom në gusht të vitit 1999, deklaroi sot para gjykatës në Pejë se është duke iu rrezikuar jeta në burgun ku është duke qëndruar.

“Jam shumë padrejtë tu u mbajtë në burg dhe jam i rrezikuar, kanë qenë duke më mbytur drogirashët, kam qenë 20 minuta pa ndjenja. Këto i di policia, jam i rrezikuar në burg, kam kërkuar mbrojtje speciale”, deklaroi ai para gjykatës.

Bajraktari tha se ka kërkuar mbrojtje speciale dhe se tash e një muaj është duke qëndruar mbyllur në një dhomë.

Sot për këtë çështje penale është duke u mbajtur shqyrtimi i dytë për vlerësim të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 1999, Bajraktari pas një fjalosje me të ndjerin Cenë Malisheva, e kishte goditur me shuplakë e më pas nga qerrja me kali e kishte nxjerrë një shufër druri me të cilën e kishte goditur viktimën në pjesën e pasme të kokës.

Dosja e prokurorisë sqaron se Cenë Malisheva nga plagët e marra kishte vdekur të njëjtën ditë në Spitalin Regjional të Pejës.