I akuzuari për vrasjen e gruas me 15 plumba, njëherë e pranon fajësinë pastaj i bie pishman

 

Kur kanë kaluar gati 1 vit nga vrasja e të ndjerës A. V. me 14 plumba, bashkëshorti i saj Bajram Velija si i akuzuari i vetëm ka dalur para Gjykatës.

Tre herë është dashur ta pyes gjyqtarja e rastit Raima Elezin të akuzuarin Bajram Velija për vrasjen e bashkëshortes, pasi që i njëjti pranonte fajësinë por thoshte se vrasjen nuk e ka kryer me dashje.

Bajram Velija, bashkëshorti i të ndjerës ka qenë i dyshuari i vetëm, e sipas dyshimeve të Prokurorisë deri te ngjarja kishte ardhur pasi që bashkëshortja e të dyshuarit kishte kërkuar ndarjen nga ai.

Aktakuza thotë se më 6 gusht të vitit 2019 rreth orët 23:18 minuta, i akuzuari Bajram Velija me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij A.V, ndërsa deri te ngjarja ka ardhur pas një mosmarrëveshje paraprake që i akuzuari kishte me bashkëshorten e tij.

“Unë jam fajtor, por jo me dashje“, tha herën e parë Bajram Velija kur u pyet nga gjyqtarja e rastit se a e pranon fajësinë për veprat penale sipas aktakuzës, duke thënë se “E kam ba por pa mendje në kokë“.

Fillimisht gjykata këtë deklarim e konsideroi si pranim i fajësisë, mirëpo pastaj mbrojtësi i të akuzuarit avokati Orhan Rekathati deklaroi se i mbrojturi i tij kërkon ekzaminim psikiatrik, “Gjykata nuk ka marrë vendim mbi gjendjen psiqike të të akuzuarit Bajram Velija“, tha avokati.

Pas këtij deklarimi të avokati Gjykata përsëri i dha një mundësi të akuzuarit për t`u konsultuar me avokatin e tij lidhur me deklarimin e tij se e pranon fajësinë për veprën penale të kryer.

Pas konsultimeve i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes tha se nuk është vrasje me dashje “Unë e kam ba, po jo me dashje“.

Gjyqtarja Raima Elezi i sqaroi të akuzuarit se i njëjti ka të drejtën e pranimit të fajësisë apo mos të pranoj fajësinë, por jo në formën siç deklarohej ai se e pranon fajësinë për vrasjen por që nuk e ka bërë me dashje.

Kjo pasi që aktakuza thotë se vrasje është kryer me dashje, andaj nuk konsiderohej pranimi i fajësisë në formën siç deklarohej i akuzuari Barjam Velija.

Pas konsultimeve të tjera, për herën e tretë i akuzuari tha se nuk do të deklarohej fare, ndërsa mos deklarimi i tij për Gjykatën nënkupton mospranim i fajësie.

Pas rreth një ore gjykimi, përfundoi seanca dhe shqyrtimi i radhës u caktua për datën 17 korrik, ku mbrojtësi dhe i akuzuari kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre për provat e aktakuzës që i konsiderojnë të paligjshme, dhe kanë të drejtën të paraqesin provat e tyre që janë në favor të të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë “Në momentin kur viktima largohet nga shtëpia e pandehuri pajiset me pistoletë të tipit “Pieto Berreta Gardone” dhe del nga shtëpia i afrohet tashmë të ndjerës A.V., e drejton pistoletën në drejtim të saj, duke shtënë 15 herë në drejtim të saj, me ç’rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit,”.

Nga goditja e predhave viktima ishte rrëzuar për tokë dhe nga plagët e marra kishte vdekur në vend.

Prokuroria thotë se i pandehuri Bajram Velija, viktimën e kishte mbuluar me një fustan të saj dhe e kishte pritur ardhjen e policisë, dhe e ngarkon atë me dy vepra penale  vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi kontroll, posedim të paautorizuar të armëve.