Arkiv - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për trafikim me armë rrëfehet në gjykatë se çka e shtyri t`i barte armët

I akuzuari për trafikim me armë, Miftar Dobraj në seancën e sotme gjyqësore ndaj tij dhe të akuzuarve tjerë deklaroi se: “Albert Veliu m`ka than mos mi qu unë qato armë ja m`vrajnë mu, ja ma vrajnë vëllain, ja ma vrajnë gruan”.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniel Prendrecaj po akuzohen se duke vepruar si një grup i organizuar në krye me ish-vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë. Në muajin prill të vitit 2018 filloi gjykimi ndaj të akuzuarve të lartcekur nën akuzën për krim të organizuar për trafikimin e armëve.

Në seancën e parë të 17 prillit 2019, Dren Mulla kishte pranuar fajësinë për veprën penal armëmbajtje pa leje edhe procesi gjyqësor ndaj tij ishte veçuar duke vazhduar me tre të akuzuarit e tjerë.

Në shqyrtimin e kaluar i akuzuari Dobraj ishte mbrojtur në heshtje.

I pyetur se a i kishte siguruar ai 8 pushkët automatike AK47,  i akuzuari Dobraj deklaroi se Alberti i kishte siguruar armët edhe pse se dinte mënyrën se si i kishin siguruar këto armë.

“Nuk është e vërtetë Albert Veliu i ka siguruar ato armë”, tha ai duke aluduar në 8 pushkët automatike.

“Nuk e di nga i ka siguruar, por e di që ai i ka siguruar”, tha ai.

Lidhur me transaksionin përmes “Money Gramit”, nga i cili i akuzuari Dobraj kishte tërhequr shumën e parave në lartësi prej 2 mijë dollarëve, ai u pyet se mos këto para ia kishte dërguar Albert Veliu për blerjen e armëve.

“Nuk është e vërtetë se me datën 23 maj 2017,  kam pranuar 2 mijë dollarë nga Albert Veliu për armë, sepse ato pare mi ka dërgua motra ime Edita Dobraj për lindjen e vajzës”, tha i akuzuari Dobraj.

Ndërsa për gjykatën i akuzuari Dobraj, shpjegoi se të akuzuarin Albert Veliu e ka dhëndër, burrë të motrës dhe se ata jetojnë në Amerikë, ai tutje tregoi se pasi Veliu, kishte shkuar në Amerikë e kishte kontaktuar Dobrajn dhe kishte kërkuar nga ai një shërbim.

“Albert Veliu pasi u largu nga Kosova më ka thirrë në telefon dhe më ka thënë “Po më kërcënojnë, jam në rrezik, munden mem vra”, dhe ai ka kërkuar nga unë që armët që i ka siguruar t’i dërgoj në Klinë”, tha ai.

I akuzuari Dobraj u është përgjigjur negativisht të gjitha  pyetjeve të prokurores lidhur me transkriptuat e sms-ët nga të cilat rezultonin bisedat për takimin e Dobrajt me të akuzuarit e tjerë në një pompë të derivateve të naftës, marrjen me qira të veturës “BMW X5”, planifikimin dhe përcjelljen e veturave.

Ndonëse i akuzuari Dobraj mohonte të gjitha pretendimet e Prokurorisë, prokurorja e rastit Merita Rugova deklaroi se: “Në telefonin e të akuzuarit Dobraj, janë gjetur foto që ka bërë në orën 13 e 59 minuta me datën 18 qershor, ku shihet Miftari me Albert Veliu dhe Arton Kelmendi, vetëm 20 min. më vonë të gjithë kanë qenë në parkingun e  “Hib Petrolit”, në ora 15 e 30 min. e njëjta veturë ka kaluar në parkingun e restorantit “Nora” në parkingun e të cilës është bërë dorëzimi i armëve”.

Gjithashtu Prokurorja Rugova deklaroi se nga ekzaminimi i telefonit të të akuzuarit Dobraj kishte rezultuar se ai kishte kërkuar lloje të ndryshme të armëve e deri tek zollat.

Në lidhje me këtë i akuzuari Dobraj deklaroi se “Google për qeta është, mundem me shiku qa të dua”. I akuzuari prapë vazhdoi se “Për armë nashta kom këqyr, ama për zolla jo”.

I pyetur nga gjykatësi Valon Kurtaj se a ia ke dhënë dikujt telefonin për t’u shërbyer?

I akuzuari deklaroi se “Me dijeni timen jo, ka pasur raste kur edhe ndonjë të huaji i kam dhënë telefonin me thirrë dike për 1 minutë, por me bisedu me sms jo”.

“Jam arrestu në restorantin “Nora” kur jam ulë me pi një kafe, unë isha me një kojshi Dren Mulla. Ditën që jam arrestu jam takuar me Artanin dhe Danjelin, kemi ndejt nja gjysëm ore, kemi pi kafe dhe kemi ngrënë bukë dhe Danjelit ja kom marrë veturën dhe kam shkuar me ble pemë dhe për 10 min. jam kthye sepse vetura ime nuk ishte ne rregull”, tha ai.

“Ka qenë Bajram dhe thamë hajt ta bëjmë një kruk (shëtitje) dhe kemi pirë kafe me Drenin me të cilin jemi takuar rastësisht në restorant”, tha i akuzuari.

Gjithashtu i akuzuari Dobraj u pyet edhe nëse kishte njohuri se a njiheshin të akuzuarit Veliu, Kelmendi dhe Prendrecaj mes veti?

Gjatë kohës sa Alberti ka qenë në Kosovë, a ka pirë kafe me Artanin dhe Danjelin?

“Jo sa e di unë”, u përgjigj i akuzuari Dobraj.

Gjithashtu ai tregoi se “Alberti m`ka thanë mos mi qu unë qato armë ja m`vrajnë mu, ja ma vrajnë vëllain, ja ma vrajnë gruan” por ai i ka siguruar armët”, tha i akuzuari Dobraj.

“Ai i ka siguru armët dhe mua m`ka angazhu veç qato armë qysh mi qu prej Pejës në Klinë. E kom ditë Artani ko mi qu (armët), por qysh ko mi qu nuk e kom ditë”, tha ai.

Seanca  e radhës do të vazhdojë me datën 5 mars në të cilën të akuzuarin Artan Kelmendi dhe Danjel Prendrecaj do të japin mbrojtjen e tyre.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniel Prendrecaj po akuzohen se duke vepruar si një grup i organizuar në krye me ish-vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.

Në muajin prill të vitit 2018 filloi gjykimi ndaj të akuzuarve të lartcekur nën akuzën për krim të organizuar për trafikimin e armëve.

Në seancën e parë të 17 prillit 2019, Dren Mulla kishte pranuar fajësinë për veprën penal armëmbajtje pa leje edhe procesi gjyqësor ndaj tij ishte veçuar duke vazhduar me tre të akuzuarit e tjerë.

Gjykata e shkallës së parë me 20 korrik të vitit 2018 kishte shpallur fajtor të akuzuarit për veprat penale trafikim me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar grupin e organizuar me 12 vjet e 8 muaj burgim e 14 mijë euro gjobë, ndërsa individualisht u kishte shqiptuar këto dënime.

Gjykata e Prishtinës kishte dënuar Miftar Dobrajn me 5.6 vjet burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

Artan Kelmendin e dënoi me 5.2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Daniel Prendrecajn e dënoi me 2 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë, e të akuzuarin Dren Mulla e dënoi me 4 mijë euro gjobë.

Po ashtu, Gjykata kishte dhënë dënim plotësues konfiskimin e antitankut “Zola’’ me projektil 64 mm,  8 pushkëve automatike  AK47, një pushke ajrore, një revole ‘’GLOC’’, një Audi A3, shumën prej 1 mije e 653 euro si dhe 3 telefona.

Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, pasi që Gjykata e shkallës së parë në hyrje të aktgjykimit ka përshkruar kualifikimin ligjor që  e ka bërë gjykata e jo Prokuroria, pastaj dispozitivi i  aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin e tij, konstatimi i gjykatës ë shkallës së parë ishte në kundërshtim me provat materiale, gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin juridik të aktakuzës.

Ndërsa për të akuzuarin Dren Mulla është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë.