I akuzuari për terrorizëm thotë se nuk ka qenë trajnues i snajperistëve të ISIS-it

Kujtim Daçaj, i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në terrorizëm, sot u ul në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë Speciale.

Daçaj në Gjykatë ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për trajnimin e snajperistëve të ISIS-it.

“Këtë pikë nuk e ka pranu, sepse s’ka qenë trajner. Kjo është deklarata e të mbrojturit tim”, ka thënë për KALLXO.com Ilir Ramaj, avokat i Daçajt.

Avokati Ramaj tha se në seancën e sotme ka deklaruar se nuk do të kundërshtojnë provat e akuzës dhe nuk do të kërkojnë hedhjen poshtë të  akuzës pasi në shqyrtimin gjyqësor do të sqarohet çdo gjë.

Sipas aktakuzës, Kujtim Daçaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Valdete Tafaj Daçaj dhe vajzën e vogël, më 5 tetor 2014 me veturën e tyre kanë kaluar kufirin përmes Hanit të Elezit kanë shkuar në Maqedoni të Veriut, ku nga aeroporti i Shkupit kanë shkuar në Turqi e më pas në Siri, ku i është bashkëngjitur ISIS-it.

Tutje aktakuza thotë se i akuzauri Daçaj kishte marrë pjesë aktive në këtë organizatë si trajnues i snajperistëve.

Sipas aktakuzës, pjesëmarrja e të akuzaurit në ISIS ishte për të destabilizuar qeverinë siriane për të dhënë dorëheqje dhe për të formuar Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit.

Tutje aktakuza shpjegon se i akuzuari Daçaj është arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane, ku më 17 korrik 2021 është transferuar në Kosovë.