Foto: Kallxo.com

I akuzuari për terrorizëm: Na torturuan fizikisht e psikikisht në polici

Në gjykimin e Bujar Behramit, Resim Kastratit, Gramos Shabanit, Albert Ademajt, Leutrim Musliut dhe Edona Halitit, të akuzuar për terrorizëm, u pretendua se policia kishte ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj tyre.

Gjatë seancës së sotme ku planifikohej të vazhdohej me fjalën përfundimtare, prokurori i rastit, Afrim Shefkiu, paraprakisht propozoi që si provë shtesë të merren edhe procesverbalet e marrjes në pyetje të të akuzuarve në polici dhe prokurori të shtetit.

Ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve si dhe vet të akuzuarit. Madje pati edhe pretendime nga ana e disa e të akuzuarve se ata ishin torturuar gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë, e keqtrajtuar nga sigurimi në qendrën e mbajtjes.

Prokurori special tha se “marrja në pyetje e të akuzuarve në polici është bërë duke respektuar procedurën e paraparë me ligj dhe në prezencë të mbrojtësve të tyre”.

“Të gjitha këto veprime përkatësisht marrja në pyetje, hetuesit policorë i kanë bërë me autorizim të prokurorit të shtetit. Në anën tjetër deklarimet e të akuzuarve janë bërë në harmoni me standardet e të drejtave e parapara në procedurë dhe duke i udhëzuar paraprakisht me të gjitha të drejtat që i takojnë në prezencë të mbrojtësve të tyre”, tha prokurori Shefkiu.

Ndryshe u deklaruan mbrojtësit e të akuzuarve dhe vet të akuzuarit. Në bazë të mbrojtësit të Bujar Behramit, avokatit Arber Fazliu, klienti i tij nuk ishte njoftuar për të drejtat e tij.

Të mos aprovohet propozimi i prokurorit kërkoi edhe i akuzuari Resim Kastrati i cili tha se “jemi marrë mbi 6 orë në pyetje pa prezencë të prokurorit dhe jemi torturuar fizikisht dhe psikikisht”.

Ndërsa mbrojtësi i Resim Kastratit, avokati Hamdi Jashanica, tha se në prezencën e tij, klienti i tij është trajtuar në mënyrë korrekte duke ia lexuar të drejtat e tij dhe se nuk ka pasur kurrfarë dhune fizike as psikike.

Resim Kastrati edhe me tutje refuzon ta pranojë Jashanicen si mbrojtësin e tij, ndërsa gjatë seancave të kaluara kishte deklaruar se mbrojtës ka “vetëm Allahun”.

Ndërsa i akuzuari, Gramos Shabani, tha se për t’iu shmangur dhunës fizike të policisë ata kanë qenë në gjendje të deklarojnë edhe të pavërteta.

Edhe i akuzuari Albert Ademi deklaroi se ka qenë i rrahur nga policia. Ai madje tha se nga policia edhe është kërcënuar duke i thënë se “kena me të mbyt e me të rrah”.

Propozimi i Prokurorit u aprovua nga trupi gjykues i përbërë prej kryetarit të trupit gjykues Mustafë Tahiri dhe anëtaret e trupit gjykues Nushe Kukaj-Mekaj dhe Lutfi Shala.

Pas aprovimit të këtij propozimi, Kryetari i trupit gjykues edhe njëherë ua bëri të mundur palëve të deklarohen përkatësisht të plotësojnë mbrojtjen e tyre. Megjithatë ata edhe gjatë seancës së sotme u deklaruan se dëshirojnë të vazhdojnë të mbrohen në heshtje.

Të akuzuarit gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor kanë zgjedhur të mos deklarohen lidhur me akuzat që i vihen në barrë.

Në bazë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Gramos Shabani ishte i angazhuar për të kryer sulme terroriste në shtetin e Belgjikës, ndërsa bashkëshortja e tij Edona Haliti akuzohet se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Bashkë me dy bashkëshortet po akuzohen edhe Bujar Behrami, i njohur me nofkën ‘Ebu Musab El –Albani’, Resim Kastrati –  me nofkën ‘Pc Habibi’, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu.

Sipas Prokurorisë, ky grup i përbëre prej gjashtë personave kishte paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në kishën ortodokse në Mitrovicën veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhet edhe synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Bujar Behrami dhe Resim Kastrati akuzohen se që nga dhjetori  i vitit 2017 e deri më 29 qershor 2018 kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bujar Behrami njëkohësisht akuzohet se ka tentuar të krijojë grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, grup që do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar ishin diskotekat “Kamboxha” dhe “Insomnia” në Graçanicë si dhe kisha ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Aktakuza thotë se detyra e furnizimit me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë sipas aktakuzës i ishte ndarë Resim Kastratit.

Kastrati për sigurimin e materieve eksplozive dhe armëve të zjarrit kishte pranuar rreth 9,000 euro, përmes “Money Gram”, dhe “Ëestern Union”, thuhet në aktakuzë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzohen se edhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.

Kallxo.com ka raportuar vazhdimisht për rrjedhën e këtij gjykimi. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.