I akuzuari për tentim vrasje: Nuk kam pas për qëllim të plagos askënd

Tahir Ahmaxhekaj ka dalë para gjykatës se Pejës për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë për tentim vrasje duke tejkaluar mbrojtjen e nevojshme.

Ai po akuzohet se në nëntor të vitit 2020 ka tentuar të privojë nga jeta Zhujë Ahmetxhekaj duke tejkaluar kufijtë e mbrojtjes se domosdoshme me qëllim që të zmbrapsë sulmin ndaj djalit të tij.

Ahmaxhekaj para trupit gjykues tregoi versionin e tij lidhur me këtë rast.

Sipas tij, ditën kritike djali i tij kishte qenë i shtrirë për tokë nga i dëmtuari Zhujë Ahmetxhekaj dhe dy persona të tjerë.

“Duke u afru afër me lopë, e kam vërejtur djalin tim të shtrirë për tokë nga Zhuja, Emrushi dhe djali i Zhujës, ata ishin t`u e rrahë”, tha ai.

I akuzuari gjatë mbrojtjes së tij tha se ai nuk ka pas për qëllim plagosjen e dikujt, duke thënë se shkrepjen e armës e kishte bërë vetëm me qëllim që mos të vazhdonte sulmi ndaj djalit të tij.

“Kam tentuar me i nda, herë njërin, herë tjetrin, e shkaku i moshës së shtyrë e shëndeti i dobët nuk kam mundur, kam nxjerrë revolen me tyte poshtë, kam shkrepë një fishek me qëllim që të ma lëshojnë djalin”, tha ai.

Ahmaxhekaj shprehu keqardhje për rastin që ka ndodhur.

“Me vjen keq çka ka ndodhë, mendimi im ka qenë për të shtënë në tokë”, tha ai.

Në seancë gjyqësore u administrua si provë edhe ekspertiza mjekoligjore që konstaton që në trupin e të dëmtuarit lëndimet janë shkaktuar me një predhë hyrëse.

Në seancën e radhës që do të mbahet të premten, palët në procedurë do të japin fjalën përfundimtare.