I akuzuari për shtytje në vrasje: Prokuroria më ka bërë kurban të Sabit Lushtakut

Me akuza ndaj Prokurorisë e ka dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës së Mitrovicës i akuzuari Driton Latifi, i cili ngarkohet për shtytje në vrasjen e Sabit Lushtakut, e ku i vdekur kishte mbetur Nuredin Lushtaku.

“Prokurori i rastit tim për hatër të Sabit Lushtakut me bën mua kurban në këtë vepër, të cilit ka mundur sikur të ishte i interesuar me zbardh këtë rast, do t’i arrestonte Sabit Lushtakun dhe Hashim Ahmetin dhe do ta shihte kontaktin e tyre kush me kënd ka kontaktuar, do të më shihte edhe mua a kam qenë në Kosovë apo janë vetëm fjalë, por me siguri të gjitha i ka ditur këto edhe i ka kontrolluar por i ka mbyllur sytë me qëllim që të depërtojë në fletarrestim tim“, ka thënë Latifi.

Më tutje i pandehuri Latifi ka thënë se sa i përket akuzës së Prokurorisë është tërësisht i pafajshëm kurse akuzën e ka quajtur inskenim ndaj tij nga Sabit Lushtaku.

“Sa i përket kësaj aktakuze jam tërësisht i pafajshëm dhe nuk kam të bëj asnjë gjë më këtë aktakuzë dhe më ka zënë në befasi kjo aktakuzë sepse nuk i njoh asnjë këta persona përveç Sabit Lushtakut, nuk e kam njohur deri më 03.05.2018 as avokatin tim e lëre më të tjerët. Kjo aktakuzës është e inskenuar direkt nga Sabit Lushtaku dhe shokët e tij Lutfi Qoses dhe Hashim Ahmetit, të cilët deri më tani kokan kanë në kacafytje mes vete dhe rrahje sepse vetëm Lutfi Qosa ka përfunduar në burg, ndërsa Hashim Ahmeti dhe Sabit Lushtaku ende janë në liri. Këtë ata e kanë bërë me përkrahjen e prokurorit të rastit tim sepse po të ishte i interesuar të zbardhej ky rast do të zbardhej qysh në kohën kur ka ndodhur vrasja “, tha Latifi.

Ndërsa sa i përket Lushtakut, i pandehuri Latifi ka thënë se nuk kishte pasur interesa kurrë më të as të kontaktojë as ta vrasë, asnjë gjë, sepse sipas tij po ta kishte atë interes do ta kishte kryer vrasjen vetë dhe do të dilte para drejtësisë.

“Por s’më ka interesuar kurrë, e kam pasur jetën e mirë në Austri por njerëzit e pandërgjegjshëm më kanë sjellë këtu të rri në burg pa pasur asnjë gjë, nuk di si t’i tregoj dikujt për çka jam në burg, ka thënë ai, ka thënë ky, a në fakt në atë kohë kam qenë në Austri në punë. Unë si njeri nuk di si t’ua shpjegoj që s’kam të bëj asgjë me këtë çështje “, ka përfunduar Latifi.

Kurse duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Mahmut Halimi, i akuzuari Latifi ka thënë se që nga viti 2000 kishte shkuar në Austri ndërsa në vitin 2001 ishte sulmuar nga Sabit Lushtaku, i cili kishte qenë i martuar me motrën e tij. Tutje, ai shtoi se më nuk kishte pasur kontakte me Lushtakun pas ndarjes së këtij të fundit nga motra e tij.

I pyetur po ashtu se kur kishte qenë hera e fundit që ai kishte ardhur në Kosovë para se të ndodhte ngjarja, Latifi ka thënë se herën e fundit kur ai kishte qenë në Kosovë sipas tij ishte fillimi i vitit 2009, kur kishte ardhur për ta vazhduar pasaportën.

“Siç thashë kam qenë në fillim të vitit 2009 për pasaportë dhe më nuk kam qenë kurrë“, tha Latifi derisa përgjigjej në pyetjen e avokatit të tij.

Pyetje për të akuzuarin ka pasur edhe i dëmtuari Bajram Lushtaku, vëllai i tani të ndjerit Nuredin Lushtakut.

Ai e ka pyetur të pandehurin nëse e kishte njohur Nuredin Lushtakun dhe a ishte vrarë vëllai i tij për shkak të problemeve që kishte pasur ky i fundit me Sabit Lushtakun.

“As direkt e as indirekt s’e kam njoftë. Nuk e di, këtë pyetje është dashur me ia bo Lutfi Qoses“, tha i akuzuari.

Pas marrjes në pyetje, seanca e sotme ka përfunduar duke u caktuar seanca e radhës për në muajin maj, me ç’rast pritet të jepet edhe fjala përfundimtare në këtë rast nga palët.

Driton Latifi akuzohet nga Prokuroria se pagoi për ta vrarë Sabit Lushtakun nga Prekazi, kurse pagesa sipas Prokurorisë ishte kryer, ndërsa vrasja do ekzekutohej nga Lutfi Qosa.

Ky i fundit akuzohet se në gusht të vitit 2010 kreu vrasjen e porositur, por kishte huqur cakun.

Qosa akuzohej se qëlloi për vdekje Nuredin Lushtakun e jo Sabit Lushtakun për të cilin sipas Prokurorisë ishin paguar 30 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës me të parë se në oborr hyn një veturë e kuqe “Audi 80“, me një vozitës të gjinisë mashkullore, Lutfi Qosa kishte shtënë në drejtim të tij katër herë, duke e goditur të njëjtin për vdekje dhe menjëherë kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë Driton Latifi akuzohet se ka kryer veprën penale – shtytja për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, thuhet në akuzën e Prokurorisë.