Rrahim Hashimi - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për mashtrim: Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti janë ndër politikanët më të pastër

Në gjykimin për mashtrim, i akuzuari Rrahim Hashimi ka përfunduar dhënien e fjalës përfundimtare.

Gjykata e Prishtinës po e gjykon Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin për mashtrim të Faton Dalladakut, duke u paraqitur si njerëz të afërt me kryetarin dhe nënkryetarin e PDK-së, Kadri Veselin e Xhavit Halitin, në përpjekje për ta ndërtuar një spital në Prishtinë.

Në seancën e sotme, i akuzuari Hashimi në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se për veprën penale e cila i vihet në barrë nga Prokuroria e Ferizajt mungon lidhja shkasore, mungojnë edhe elementet inkriminuese të figurës së kësaj vepre penale, pasi, sipas tij, ai nuk ka mashtruar dhe as nuk ka pasur si ta mashtrojë Faton Dalladakun.

Rrahim Hashimi tregoi se sa i përket pronësisë apo aksioneve të Qendrës për Kardiologji (QKK), është thënë se pronar i vetëm është Ekrem Lluka.

“Këtë fakt e kam mësuar nga Faton Dalladaku kur më ka angazhuar në kërkesën e tij që të jem ndërmjetësues për riblerjen e QKK-së dhe me ndërmjetësimin tim, personalisht Faton Dalladaku ka marrë pjesë në takimin në hotel “Dukagjini” në Pejë, dhe personalisht, verbalisht ma ka paraqitë kërkesën për riblerje të QKK-së z. Ekrem Lluka”, tha i akuzuari.

I akuzuari tha se çdo veprim i tij ka qenë konform kërkesave dhe udhëzimeve të Faton Dalladakut. “Dhe s’ka pasë fare dilema për pronësinë apo aksionarët sepse për çdo ndryshim eventual Faton Dalladaku ka mundur ta verifikojë online në ARBK 24 orë në 7 ditë në javë”, shtoi ai.

Rrahim Hashimi theksoi po ashtu se nuk qëndrojnë pretendimet e Faton Dalladakut pasi që ato janë thjeshtë “të pavërteta dhe të trilluara”.

Ndërsa, lidhur me atë se nëse kishte keqpërdorur emrat e personaliteteve politike/shtetërore si të Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti, i akuzuari tha: “Unë e pohoj, se asnjëherë, në asnjë rrethanë, për asnjë arsye, nuk e kam përdorur apo keqpërdorur emrat e personaliteteve publike, shtetërore dhe me theks të veçantë emrat e Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit. Këtë fakt e konfirmoi edhe z. Ekrem Lluka dhe z. Rasim Selmanaj, të cilët kanë qenë akterët kryesorë në këtë çështje, z. Lluka në cilësinë e pronarit 100 % të aksioneve të QKK-së dhe z. Selmanaj përveç tjerash edhe dëshmitar prezent në takimin në hotel ‘Dukagjini’ në Pejë”.

Në atë takim, sipas të akuzuarit, po ashtu ishte prezent edhe Ekrem Lluka edhe Faton Dalladaku dhe se takimi ishte realizuar me ndërmjetësimin e tij.

I akuzuari Hashimi tha se nuk ka pasur asnjë arsye, motiv e as logjikë të përmendeshin apo përdoreshin emrat e Veselit dhe Halitit.

“Edhe Kadri Veseli në vitin 2011/2012, s’ka qenë fare personalitet publik, politik apo shtetëror, por as bartës i ndonjë autoriteti, përveç se edhe më tutje Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti janë ndër politikanët më të  pastër sa i përket, në përgjithësi mbi punën në krim, në korrupsion dhe dukurive të tjera negative”, tha Hashimi më tej.

Ndërsa, për provat  në bazë të të cilave ishte ngritur aktakuza, i akuzuari theksoi se janë të paligjshme, të falsifikuara e të manipuluara pasi që, sipas tij, ato nuk janë realizuar me ndonjë vendim të organeve kompetente, si të prokurorisë e as të gjykatës, dhe as nuk janë realizuar me pajisje zyrtare.

“Ato janë realizuar me pajisje private të Faton Dalladakut dhe si të tilla provat nuk i ishin nënshtruar asnjë ekspertize të paraparë me ligj për autenticitetin”, shtoi i pandehuri.

Në fund, ai propozoi Gjykatës që të marrë aktgjykim lirues, pasi që, sipas tij, nuk është provuar se kishte kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rrahim Hashimi, avokati Azdren Saramati, theksoi se nuk ka elemente të veprës penale të mashtrimit, duke shtuar se aktakuza është e mbështetur në prova të papranueshme e që si të tilla janë marrë pa mbështetje ligjore, janë jo të plota dhe të pasakta.

Saramati më tutje shtoi se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk ishte thirrur në emër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.

Po ashtu, Saramati kërkoi nga Gjykata që pas shpalljes së aktgjykimit të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit, pasi sipas të njëjtit kishin pushuar të gjitha shkaqet.

Krejt në fund, Saramati  i propozoi Gjykatës që të mbrojturin e tij në mungesë të provave ta lirojë nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit u caktua për më 26.2.2020.

Rrahim Hashimi: Asnjë cent s’është kërkuar apo marrë në emër të Kadri Veselit e Xhavit Halitit