Foto: KALLXO.com

I akuzuari për mashtrim jep fjalën përfundimtare, ndihet i dëmtuar

I akuzuari për mashtrim, Kadri Rexhepi, ka dhënë sot fjalën përfundimtare në gjykimin e tij dhe të Rrahim Hashimit.

Të dy po akuzohen për mashtrim të Faton Dalladakut lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, për ta mashtruar Dalladakun, të akuzuarit kanë përmendur lidhjet që ata pretendonin se kishin me Kadri Veselin e Xhavit Halitin, kryetarin, respektivisht nënkryetarin e PDK-së.

Në seancën e sotme, i akuzuari Rexhepi në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se e kishte pasur nxënës Faton Dalladakun, në vitin 1978/79, dhe se pas kryerjes së shkollës së mesme kurrë më nuk ishte takuar me të deri në muajin gusht të vitit 2011.

“Shkak i këtij takimi ka qenë një borxh ndaj një të afërmes time, në shumë prej 30 mijë euro, po është fakt se aty e kam pyet, Fatonin, se si ec puna me spitalin. Ai më thotë se me zor na i ka marr Ekrem Lluka, ashtu siç ka dashtë ai vet. Me Rrahim Hashimin jam njoftu përmes Shukri Bujës, në vitin 2009/2010, në një restorant në Prishtinë”, tha i akuzuari.

Motivi sipas Rexhepit për t’u interesuar për çështjen e spitalit kishte qenë gruaja e tij, e cila sipas të akuzuarit ishte bërë operacion prej zemrës dy herë.

“E kam thirrë Rrahim Hashimin dhe i kam thanë: a mundesh me ardhë deri në Ferizaj? Jemi taku unë, Rrahim Hashimi dhe Faton Dalladaku. Kanë bisedu mbi 2 orë vetëm këta dy. Edhe këta i kanë ndërru telefonat aty mes vete dhe pastaj Fatoni më thirr në telefon: Çka u bo, pse nuk po vjen Rrahimi?”, tha i akuzuari.

Ai tutje tregoi se e ka thirrur Rrahim Hashimin dhe i ka treguar se po e kërkonte Faton Dalladaku. Pas ca kohe, i akuzuari tha se e ka thirrur Hashimi dhe se kishin shkuar në spitalin i cili ishte në ndërtim e sipër e prej aty në zyrën e Faton Dalladakut, ku dhe kishin filluar këta dy bisedat.

Kadri Rexhepi tha se Rrahim Hashimi dhe Faton Dalladaku ishin marrë vesh që nëse kryhet puna, Faton Dalladaku si bakshish do t’ia jepte Rrahim Hashimit 500 mijë euro dhe 5 % nga fitimi i spitalit, kur të fillonte punën.

“Erdhi koha, kemi shku në Pejë, na ka prit Ekrem Lluka, me një vonesë prej 10 minutave ka ardhur edhe Rasim Selmanaj, në atë kohë ishte kryetar i Komunës së Deçanit. Kur ka fillu çështja e  shitblerjes, pak si me nervozë iu ka drejtu Faton Dalladakut duke i  thanë pse nuk më ke thirrë more burrë në telefon dhe ti Faton nuk ke pare, se ky spital i cili kushton prej 8 deri 10 milionë, nuk mund të merret për 300 apo 400 apo 500 mijë euro. T’ju them të drejtën, kur jemi kthy në Prishtinë, e kam qortu me fjalë pak të renda, i kam thanë nuk hyhet në pazar pa pare o burrë!. Edhe çështja e spitalit me mue këtu ka marrë fund”, tha i akuzuari.

Më tutje i akuzuari foli edhe për problemet që kishin dalë lidhur me “Apex-at”, ku Faton Dalladaku, sipas tij, i kishte marrë hua 250 mijë euro, duke i lënë hipotekë 14 hektarë tokë, prej të cilave 7 janë kanë të huaja.

Gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, i akuzuari Kadri Rexhepi deklaroi se ishte fakt që ai kishte ndejtë shumë shpesh në zyrën e Faton Dalladakut, por me porosinë e tij, duke më thanë: “Profesor, kam ca borxhe, të cilat nuk po muj me i la, të lutem rri në zyrë, kur të vijnë burrëritë se ty ta besojmë se je në moshë dhe serioz me ma shty afatin e pagesës”.

“Kanë ardhë shumë, dhe më ka shfrytëzu maksimalisht, saqë jam detyru në momente nashta edhe ngapak edhe mi hijeshu gjërat, mos te them me rrejt, vetëm për me mujtë me ia shty afatin e pagesës”, tha i akuzuari.

Kadri Rexhepi foli edhe për dy numra të telefonit, të cilët sipas tij ia ka dhënë Faton Dalladaku dhe njëri prej atyre numrave është i Kadri Veselit.

“Zonja gjykatëse, në ato incizime unë kam fol sipas udhëzimeve që i kam marrë, sipas këtij numri të telefonit”, tha i akuzuari.

Më tej, ai tha se këto incizime “më kanë varrosur për së gjalli, duke më koritur në pleqërinë time”.

“Kur i kam pa, vetë jam turpëru. Se kur të incizon dikush e nuk e din, njeri nuk zgjedh as fjalë as fjalinë. Ky ma ka traumatizu familjen, të cilat vështirë shërohen. Ky më ka shti në borxh deri në fyt. 155 mijë euro i ka marrë nga unë, 40 mijë i ka marrë nga kushërini  dhe 40 mijë nga mbesa ime e cila 10 mijë ia ka qit përmes xhirollogarisë”, deklaroi Kadri Rexhepi, duke folur me emocione.

Në fund, Kadri Rexhepi mohoi të jetë mashtrues.

“Zonja gjykatëse, unë jam i dëmtuari, shkaku i tina, që 9 muaj vuaj në paraburgim. Mos besofshit mundeni edhe me pyet se flej në një dyshek në tokë, se kam marramendje të hatashme dhe asnjëherë në mëngjes nuk kam mujt me u çu pa më ndihmu shoku i dhomës. Kam kërku hapa prej mjekut, dy herë me kanë çu në spital dhe s’kam pranu, jam kthy  se kam mendu se do të merret si mashtrim apo sikur po bëhem se jam i sëmurë”, shtoi ai.

“Edhe për fund, nuk më dhimbset fare vetvetja por familja dhe shpesh herë kam thanë: shyqyr që jam në paraburgim këtu, e mos të më shofin njerëzit jashtë për hirë të atyre incizimeve private. Zonja gjykatëse, kam besim të plotë se do të gjykoni në mënyrën më të drejtë”, shtoi ai.

Edhe mbrojtësi i tij, avokati Admir Salihu, i propozoi Gjykatës  që të marrë një aktgjykim lirues, për të mbrojturin e tij, duke kërkuar po ashtu ndërprerjen e paraburgimit, pasi që, sipas avokatit, tashmë nuk ekziston asnjë kusht i paraparë me ligj që i njëjti të qëndrojë në paraburgim.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 26 shkurt 2020.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.

https://kallxo.com/lajm/hesht-ne-gjykate-kadri-rexhepi-i-akuzuar-ne-rastin-per-mashtrim/