Foto: Kallxo.com

I akuzuari për lejimin e ndërtimeve pa leje në Pejë përballet me fjalët e dëshmitarit

Në seancën e sotme kundër Demë Dashit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarit.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sali Berisha, se sipas vendimit të kryetarit të komunës, ku përfshihet dhënia e propozimeve për rrënim si dhe përmbarim të vendimit, kujt i jepet një propozim i tillë, Dashi tha se ky propozim i jepet shefit të divizionit të ndërtimit si epror i drejtpërdrejtë e që në rastin konkret ka qenë Sylejman Syla.

I akuzuari shtoi se eprorët e tij konsultoheshin mes vete e në disa raste edhe me kryetarin e komunës.

“Me mua faktikisht nuk janë konsultuar por me kanë njoftuar dhe unë e kam miratuar gojarisht në baze të vendimit të tyre”, tha Dashi.

Ai është përgjigjur negativisht në pyetjen tjetër lidhur me rastin e dëshmitarit Valdet Berisha i cili ka pasur mbi-ndërtim pa leje, pasi që dëshmitari ka thënë se ai e kishte thirrur kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxherin, dhe pasi ky i fundit kishte biseduar me Demë Dashin, ky i fundit i kishte udhëzuar inspektorët të mos e pengojnë në ndërtim

“Nuk është e vërtetë, dëshmitarin nuk e njoh, vetëm kam biseduar njëherë me të”, tha ai.

Gjyqtari Sali Berisha iu referua disa transkripteve të bisedave të Demë Dashit dhe inspektorit Pashk Berisha lidhur me ndërtuesin Valdet Berisha, ku drejtori njoftohet nga inspektori se ndërtuesi është duke i mbushur shtyllat, e që Demë Dashi i thotë “le mos shko atje”.

“Aty nuk ka pasë mbi ndërtim, aty ka pasë tejkalim të lejes në gabarit, gjersa shprehja ‘mos shko atje’ nuk është e vërtetë”, u përgjigj Dashi.

Demë Dashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016.

Prokuroria e akuzon Dashin se ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës ai u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm disa personave.

Seanca e radhës është caktuar për datën 20 shtator.