Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për krime lufte pretendon në alibi për kohën dhe vendin e vrasjeve

Në gjykimin e të akuzuarit për krime lufte, Zoran Gjokiq, mbrojtësi i të akuzuarit, Lubomir Pantoviq, ka kërkuar të hedhet poshtë aktakuza.

Gjyqtari i rastit, Arben Hoti, tha se mbrojtësi i të akuzuarit ka paralajmëruar alibi për të pandehurin dhe ka bashkangjitur provat me të cilat arsyetohet ajo.

Prokurorja e rastit, Habibe Salihu tha se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtruara në kundërshtimin e provave sepse aktakuza është hartuar në bazë të dispozitave ligjore dhe, sipas saj, ka prova të mjaftueshme të cilat janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe mbështesin aktakuzën.

Më tutje ajo tha se sa i përket provës se i pandehuri ka qenë student, kjo çështje nuk është kontestuese dhe nuk është kontestuar as gjatë fazës së hetuesisë.

Prokurorja i propozoi Gjykatës që ta hedhë poshtë kundërshtimin e provave si dhe të kundërshtojë kërkesën për hedhjen e aktakuzës ngase aktakuza është ngritur konform dispozitave ligjore.

Zoran Gjokiq akuzohet se gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, ka hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve lokalë dhe i ka detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Siç e përshkruan prokuroria, pas largimit nga shtëpitë, Djokiç i ka maltretuar fizikisht dhe psikikisht viktimat.

Më tej, aktakuza shpjegon që Gjokiq së bashku me persona të tjerë pasi kanë arritur tek shtëpia e të ndjerit Hilmi Zeqiraj, kanë plaçkitur dhe kanë detyruar që t’i dorëzojnë të gjitha të hollat. Po ashtu, sipas aktakuzës, në oborrin e po kësaj shtëpie e kishin rrahur Shaban Kaliqanin duke e goditur në fytyrë dhe duke ia thyer dhëmbët ndërsa në ndërkohë e vrasin Hilmiun.

Gjokiq akuzohet edhe se më pas ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndan dhe me kallashnikov i ekzekuton Zeqirin dhe Berishën.

Sipas aktakuzës, Shaban Kaliqani kishte shpëtuar pasi i akuzuari i ishte drejtuar me fjalët “Ngaj çka po pret”.

I vdekur kishe mbetur edhe Riza Mamaj i cili ishte nisur me karrocë në dorë dhe ishte qëlluar më pas me plumba në gjoks.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur më këtë.

Zoran Gjokiq mohon vrasjet gjatë luftës në Pejë