Seanca ndaj të akuzuarit Millosh Pleskoviq - 01.11.2024 - FOTO - Adile Agushi - Kallxo.com
I akuzuari për krime lufte, Millosh Pleskoviq sërish deklarohet i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë
Në gjykimin ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit, në seancën e datës 01.11.2024, i njëjti u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
I njëjti akuzohet se më 01.09.1998 në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” kishte shtënë me armë të tipit kallashnikov dhe nga të shtënat ishin vrarë tre civilë shqiptarë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ilir Morina, i akuzuari u pyet sërish rreth fajësisë.
“Nuk ndihem fajtor”- u deklarua i akuzuari Millosh Pleskoviq.
Tutje, seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorit Ilir Morina.
Prokurori Ilir Morina gjatë fjalës së tij hyrëse deklaroi se po fillon një shqyrtim shumë i rëndësishëm për drejtësinë, dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor do të paraqiten prova materiale dhe dëshmitarë të tri kategorive.
“Sot pas 25 viteve po fillon një shqyrtim shumë i rëndësishëm për drejtësinë në përgjithësi, por edhe për palën e dëmtuar që është këtu në veçanti. Më në fund viktimat do të kenë mundësi të kuptojnë se çka ka ndodhë me fatin e fëmijëve të tyre”- tha prokurori Ilir Morina.
“Në rastin konkret më së miri vlen thënia popullore’ buka jote vret’, i pandehuri është rrit në lagjen e viktimave nga zonja Mihrije dhe dëshmitarët tjerë, do ta kuptoni se i pandehuri si fëmijë ka luajtur në mëhallën e tyre me fëmijët e zonjës Mihrije”- shtoi tutje prokurori Morina.
Prokurori Morina shtoi se identifikimi i të pandehurit kishte qenë shumë i lehtë për dëshmitarët pasi ai ishte rritur në mesin e tyre.
Fjalën hyrëse e paraqiti edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Mihrije Daqaj, avokati Gent Gjini, i cili tha se me provat materiale dhe rrethanore do ta dëshmojnë se i akuzuari ka kryer veprën penale dhe shtoi se në fund të rrjedhës të procedurës së provave do të vërtetohet se i akuzuarit duhet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtja e të akuzuarit Millosh Pleskoviq, avokatja Jovana Filipoviq. Në fjalën hyrëse avokatja Filipoviq tha se Millosh Pleskoviq është i pafajshëm dhe është deklaruar i pafajshëm, duke theksuar se ai ishte thjeshtë një adoleshent në atë kohë pa asnjë trajnim formal ushtarak.
Tutje Filipoviq gjatë fjalës hyrëse shtoi se Millosh Pleskoviq asnjëherë nuk kishte pasur probleme dhe as dyshime për këtë vepër penale.
“Millosh Pleskoviq rregullisht ka pasë të gjithë dokumentacionin e Kosovës dhe në çdo moment ka qenë i qasshëm për organet e ndjekjes, mirëpo asnjëherë nuk ka pasur asnjë problem më të vogël dhe as dyshimin që do të ngarkohet për këtë vepër penale”- tha avokatja Jovana Filipoviq.
Gjatë seancës gjatë largimit të një dëshmitari nga salla e gjykimit, avokatja Jovana Filipoviq tha për të njëjtin se nuk do të duhej të qëndrojë gjatë fjalës hyrëse dhe leximit të aktakuzës dhe tha se kundërshtimet e saj do t’i bëjë me shkrim.
Tutje Filipoviq propozoi që procesverbalet e këtij dëshmitari gjatë fazës hetimore të shpallen të papranueshme dhe në procedura të mëtejme i njëjti të mos jetë dëshmitar.
Propozimin e avokates Filipoviq e kundërshtoi prokurori Ilir Morina duke thënë se nuk ka bazë ligjore e asnjë dispozitë të kodit të procedurës penale që e njeh atë që e tha mbrojtja lidhur me dëshmitarin, dhe se seanca është publike dhe se i njëjti seancën mund ta sheh edhe në internet.
Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Mihrje Daqaj, avokati Gent Gjini deklaroi se e kundërshton propozimin e avokates Filipoviq lidhur me dëshmitarin.
Ndërsa kryetari i trupit gjykues Rrahman Beqiri njoftoi se lidhur me propozimin e avokates Filipoviq do të vendosë pas marrjes së propozimit me shkrim të propozimit të bërë nga avokatja.
Avokatja Filipoviq kërkoi edhe disa shkresa të lëndës nga prokurori dhe procesverbalin e dëshmitarit anonim.
Ndërsa lidhur me këtë prokurori Morina tha se nuk e kundërshton propozimin e shkresave të lëndës, ndërsa sa i përket procesverbalit të dëshmitarit anonim prokurori Morina deklaroi se e kundërshton pasi që i njëjti ka një urdhër të mbrojtjes nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Ndërsa trupi gjykues lidhur me këto propozime njoftoi se do të vendosë me vonë, ndërsa sa i përket dëshmitarit anonim do të vendosë para dëgjimit të këtij dëshmitari.
Ndërsa, palët e dëmtuara në këtë rast u deklaruan se do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.
Tutje prokurori Morina propozoi që seanca e sotme të ndërpritet, pasi që i njëjti ishte përgatitur për fjalën hyrëse dhe jo për dëgjimin e dëshmitarëve.
Propozimin e prokurorit e mbështetën edhe palët tjera në procedurë.
Seancat lidhur me këtë çështje penale u caktuan për muajin janar 2025.
Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Rrahman Beqiri- Kryetar, anëtarët Violeta Namani- Hajra dhe Kujtim Krasniqi.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998 – 1999 në Prizren, gjatë një konflikti me karakter jo ndërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Forcave ushtarake të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) dhe forcave policore të Serbisë, i pandehuri Millosh Pleskoviq, me dashje e në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil, duke kryer vrasjen e viktimave, në atë mënyrë që në periudhën kohore relevante për këtë aktakuzë, forcat policore dhe ushtarake të RFJ dhe Serbisë ishin stacionuar në kodrat përreth Prizrenit, për shkak të konfliktit të armatosur që ishte duke ndodhur në atë zonë.
Sipas aktakuzës, rreth datës 01.09.1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje, deri sa ishin duke ecur, kanë hasur në një grup prej 7-8 persona, të armatosur të nacionalitetit serb, të cilët kishin dalë nga mali dhe ishin me uniforma policore dhe ushtarake, me shirita në krah dhe në kokë dhe njëkohësisht ishin të armatosur me armë të gjata automatike e të cilët fillimisht i kishin urdhëruar që të ndaleshin, pastaj i kanë fyer në gjuhën serbe.
Tutje sipas aktakuzës, në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit kallashnikov në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima – tani i ndjeri Binak Daçaj e ka shtyrë më krah të dëmtuarin Xhenger Cana, duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtoj nga vrasja pasi që ishte më i riu në grup.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat – tani të ndjerit Binak dhe Reshat Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiu, kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë, si pasojë e të shtënave ashtu që pas një jave, me lejen e policisë serbe, familjarët e viktimave kanë shkuar që t’i marrin trupat e tani të ndjerëve Reshatit, Binakut dhe Fatmirit, tek te cilët kanë parë se trupat e viktimave janë të gjymtuar, ashtu që Reshatit dhe Binakut ishin vendosur njëri mbi tjetrin, njëri nga ta e kishte këmbën e prerë nga trupi, kurse viktima Fatmiri nuk e kishte pasur kokën në trup.
Në bazë të akuzave të lartcekura, sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i Luftës kundër popullsisë civile”.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e ish-jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të ish-Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.
Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Interneës Kosova dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të Rinjve për Të Drejta të Njeriut (YIHR KS).