I akuzuari për krime lufte Çasla Joliq – FOTO – KALLXO.com

I akuzuari për krime lufte deklarohet për fajësinë

Çasla Joliq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në periudhën kohorë 1998-1999 është sjellë sot në gjykatën e Prishtinës.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, i pandehuri për krime lufte, Çasla Joliq nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

“Me nderin dhe trupin tim për asgjë që është lexuar tani (në aktakuzë) nuk jam fajtor”- tha Joliq.

Joliq nga Prokuroria Speciale po akuzohet se gjatë periudhës kohore janar 1998 deri më 21 qershor 1999 në Istog, në bashkëkryerje me personat e tjerë kanë aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit, kundër popullatës civile.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com në vitin 1998 në Lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniformë të policisë serbe, Rdaule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar. Të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellur gazetarët në vendin e ngjarjes.

Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë më datën 15.03.1998, derisa i dëmtuari N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serb dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc. Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

Përjetim të ngjashëm sipas prokurorisë kishte edhe N. C., i cili më 15.03.1998 ishte nisur nga Gurakoci për në fshatin Vrellë për të marrur familjen e tij.

Sipas dosjes kur kishte arritur te pika e kontrollit policor në fshatin Gurakoc ishte ndaluar nga policia. Dy pjesëtarë policor kishin hyrë dhunshëm në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t`i dërgonte tek shtëpia e personit me pseudonim “Mala”, por pasi që i dëmtuari iu kishte thënë se nuk e dinte ku e kishte shtëpinë “Mala” të njëjtit e kishin detyruar që t`i kthente në qendër të fshatit.

Tutje në dosje përshkruhet se me të arritur para shitores te qendra e fshatit personi me pseudonimin “Joliq” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës dhe nga aty e kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal që gjendej aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur deri sa kishin ndërhyrë disa policë.

Në dosje theksohet se Joliq gjatë maltretimit të të dëmtuarit kishte përdorur fjalët “Nuk je në Kosovë, por je në Serbi”, dhe “këtu është Serbia e madhe”.

Më këto veprime i njëjti dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.