Gjykimi për fajde - 07.10.2019

I akuzuari për fajde kundërshton provat e Prokurorisë së Gjakovës

 

Sylë Shala i akuzuar për fajde, sot në gjykatën e Gjakovës, përmes avokates së tij Feride Xani e kundërshtoi aktakuzën e Prokurorisë.

Ajo tha se aktakuza nuk është e bazuar në fakte dhe prova.

Ndërsa prokurori Ali Uka, tha se aktakuza e Prokurorisë është e mbështetur në prova të mjaftueshme.

Në anën tjetër, gjykatësi Gëzim Pozhegu, tha se për seancën e radhës palët do të njoftohen me shkresë të veçantë, pasi që të vendoset lidhur me propozimet e tyre.

Sylë Shala nga fshati Lipovec i komunës së Gjakovës, i akuzuar për veprën penale të fajdesë, në seancën e kaluar para gjykatësit Gëzim Pozhegu, ishte deklaruar i pafajshëm.

Fajdet në Gjakovë: Për 500 euro kamata javore 250 euro

Sylë Shala nga Lipoveci i Gjakovës siç përshkruhet në aktakuzën e prokurorisë së Gjakovës akuzohet se ka ofruar fajde me kamata të larta.

Prokuroria pretendon se Edmir Krasniqi në dhjetor të vitit 2017 kishte marrë nga Shala shumën prej 500 eurosh me fajde, ndërsa kamata javore ishte 250 euro.

Aktakuza shpjegon se gjatë vitit 2018, i akuzuari Sylë Shala i kishte dhënë edhe dy herë të tjera para me fajde të dëmtuarit Edmir Krasniqi, për të cilat babai i të dëmtuarit i ka paguar rreth 15 mijë euro kamatë.

Kamatat sipas prokurorisë kishin vazhduar edhe gjatë vitit 2019 dhe i dëmtuari kishte paguar 2 mijë euro kamatë, ndërsa i kërkoheshin edhe 3 mijë e 200 euro të tjera.

Shala është arrestuar nga policia gjatë këtij viti në një operacion të simulimit.