Foto: Kallxo.com

I akuzuari për drogë përmirëson sjelljen, e pranon gjysmën e fajit

Kur kishte dalë para gjykatës seancën e kaluar më 3 janar, Flamur Rama nga Vitia kishte bërë veprime të pakontrolluara në sallë.

Kishte thënë se nuk e di emrin e vet, as të nënës, ndërsa kur qe pyetur për vitin e lindjes kishte thënë “më duket se në vitin 2031”.

Mund të ketë qenë skenar i tij për të shpëtuar nga paraburgimi, por nuk i kishte dalë ashtu.

Gjykatësi i rastit, Zyhdi Haziri, duke marrë parasysh sjelljen e tij, kishte vendosur t’ia vazhdojë masën e paraburgimit duke u arsyetuar se me sjelljet e tij, i akuzuari për drogë “mund të jetë i rrezikshëm për rrethin”.

Flamur Rama doli të enjten sërish para gjykatës me sjellje krejtësisht tjera.

Ai po akuzohet për blerje të drogës në afërsi të shkollave në Gjilan, ndërsa ishte kapur me drogë në afërsi të një shkolle në Viti.

Lidhur me gjendjen shëndetësore të akuzuarit në seancën e sotme ishte prezent edhe psikiatri Dr. Afrim Cana.

Ai e konfirmoi se i akuzuari mund është në gjendje ta ndjekë gjykimin.

“Nga konsulta që e bëra me klientin, i njëjti gjatë qëndrimit në paraburgim është duke përdorur terapinë që ia kemi caktuar. Ai, sipas mendimit tim, është në gjendje që ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor dhe të japë deklaratë para Gjykatës”, tha Cana.

Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari Rama tha se drogën ia kishte gjetur Policia e kishte blerë në Gjilan afër shkollave të mesme.

“Nuk e kam ditur se ka shkolla afër vendit se ku e kam blerë drogën. Fajësinë për këtë vepër e pranoj pjesërisht e jo ashtu siç më ka ngarkuar Prokuroria, pasi që u konsultova me avokatin tim”, tha i akuzuari.

Gjykatësi Zyhdi Haziri e refuzoi pranimin e pjesshëm të fajësisë nga i akuzuari me arsyetimin se fajësia ose pranohet ashtu sikurse është në aktakuzë ose fare nuk pranohet.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Flamur Rama në muajin dhjetor 2019, ka bartur në mënyrë të pa autorizuar drogë të llojit marihuanë në afërsi të shkollës së mesme në Viti.

Tutje sipas aktakuzës, Rama llojin e drogës që e posedonte me vete e kishte blerë në afërsi të shkollave të mesme në Gjilan.

Seanca e sotme u shty për 10 shkurt.