Foto: Kallxo.com

I akuzuari për drogë nga Shqipëria nuk vjen në gjykatë në Mitrovicë ‘shkaku i tërmetit’

I akuzuari Bledijan Xhepi nuk ka ardhur të enjten në seancën e paraparë të mbahej në gjykatën e Mitrovicës.

Gjykatësi i rastit Avni Mehmeti është njoftuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Xhepi se i pandehuri nuk mund të vijë në seancë për shkak të rrethanave të krijuara nga tërmeti në Shqipëri.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi Mehmeti seancen e ka shtyrë për 29 dhe 30 janar 2020.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Mërgim Thaqin, Mensur Sadikun dhe Bledijan Xhepi për shitje të paautorizuar të substancave narkotike.

Në akuzë thuhet se i pandehuri Xhepi, me 4 gusht 2018, në Mitrovicë, afër një restorantnë afërsi të hekurudhës në Mitrovicë, u kishte shitur substancë narkotike dy të pandehurve Mergim Thaqi dhe Mensur Sadiku, të cilën e kishin bartur me automjetin e markës “Mercedes”.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht ishin takuar me Mergim Thaqin, të cilit i kishte shitur substancën narkotike me peshë prej 971.07 gram, ku për këtë sasi Thaqi kishte paguar 350 euro, ndërkaq më pas një kilogram i kishte shitur të pandehurit tjetër Sadiku, i cili këtë sasi e kishte blerë në shumën prej 400 euro, po ashtu brenda të njëjtës datë i pandehuri Xhepi i kishte ofruar për shtije të miturit L.B.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikorotpoike”.

Kurse në pjesën e dytë të akuzës thuhet se i pandehuri Thaqi nga Bledijan Xhepi kishte blerë substancë narkotike marihuanë me peshë prej 971.07 gram me çmim prej 350 euro ku më pas kjo sasi i ishte sekuestruar nga Policia  në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.

Tutje në akuzë thuhet se i pandehuri Sadiku, nga Bledijan Xhepi kishte blerë 1 kilogram marihuanë me peshë me çmim prej 400 euro ku një pjesë të kësaj sasie përkatesisht 37.42 gramë e kishte fshehur në një vend tek ullukët nën kulmin e shtëpisë së tij e cila pas kontrollimit ishte sekuestruar nga hetuesit policor, ndërsa pjesën tjetër që e kishte blerë e kishte hedhur në një vend afër fshatit Suhodoll.