Gjykimi ndaj të akuzuarit Florim Rama - 03.01.2020

I akuzuari për drogë me veprime të pakontrolluara në Gjykatë, dështon seanca

Gjykimi ndaj Flamur Ramës, i akuzuar se bleu drogë në afërsi të shkollave në Gjilan, kurse u kap me to në afërsi të një shkolle në Viti, nuk ka nisur siç ishte planifikuar nga Gjykata.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte sjellja e të akuzuarit në sallën e gjykimit, i cili bënte lëvizje të pa kontrolluara në drejtim të personave tjerë prezent.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Flamur Rama në muajin dhjetor 2019, ka bartur në mënyrë të pa autorizuar drogë të llojit marihuanë në afërsi të shkollës së mesme në Viti.

Tutje sipas aktakuzës, Rama llojin e drogës që e posedonte me vete e kishte blerë në afërsi të shkollave të mesme në Gjilan.

Në fillim të seancës, kur u pyet për të dhënat e tij personale nga gjykatësi Zyhdi Haziri, i akuzuari Rama tha se: “Nuk e di emrin e nënës time, as nuk e di se kur kam lindur. Vetëm se më duket se viti lindjes time është 2031”.

Tutje gjykatësi Haziri tha se: “I akuzuari me këto veprime që i bën nuk mundet në asnjë mënyrë t`i shmanget përgjegjësisë. Kam pasur bindjen që t`i ndërpres masën e paraburgimit, por me këto veprime i akuzuari po del të jetë i rrezikshëm për rrethin ku jeton nëse lihet në liri, andaj do t`i vazhdohet masa e paraburgimit”.

Në fund prokurori Shaban Spahiu tha se: “I propozoj Gjykatës që për seancën e radhës të ftohet psikiatri në mënyrë që të konstatohet gjendja e të akuzuarit se a është në gjendje ta përcjell shqyrtimin gjyqësor”.

Propozimin e prokurorit Spahiu e përkrahu edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ilir Shaqiri.

Seanca e caktuar për sot u shtye për datën 23 janar.