I akuzuari për drogë deklarohet i pafajshëm

Diamant Bala, i akuzuar për blerje e shitje të marihuanës, mohoi akuzën e Prokurorisë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, Bala u deklarua i pafajshëm.

“Nuk e pranoj akuzën për shitje, e pranoj që marihuanën e kam pirë vet”, deklaroi i akuzuari Diamant Bala.

Ndërsa gjykatësi i rastit Gëzim Pozhegu, caktoi datën 7 tetor për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave të saj.

Sipas aktakuzës, në maj të këtij viti, gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë, Bala ka pranuar se posedon narkotikë dhe jua ka dorëzuar një pako të cigareve, të mbushura me marihuanë.

Më pas, në shtëpinë e tij i është gjetur marihuanë në peshë prej 8 gramë dhe një paketim tjetër në peshë prej 69 gramë, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.