I akuzuari nuk shkoi në seancë, avokatja e tij e thërret në telefon për ta kuptuar arsyen e mungesës
Për shkak se kishte keqkuptuar zhvillimet në seancën paraprake, njëri nga të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Subvencionet 1’ nuk u paraqitë në gjykimin e datës 30.08.2024 dhe kjo coi në dështimin e seancës.
Shqyrtimi gjyqësorë ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Subvencionet 1” ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve pasi i njëjti kishte menduar se ishte i liruar nga seanca pasi që mbrojtjen e tij e kishte përfunduar në seancën e datës 29.08.2024 sepse Kujtim Krasniqi i kishte liruar nga seanca të akuzuarit të cilët nuk e kanë dhënë mbrojtjen.
Kjo gjë u bë e ditur nga avokatja e tij Gerta Ragipi pasi u telefonua nga ajo gjatë seancës.
“E paska keqkuptuar” – deklaroi avokatja Gerta Ragipi, mbrojtësja e të akuzuarit Hasan Maxharaj.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special në përbërje të trupit gjykues: Kujtim Krasniqi kryetar i trupit gjykues dhe dy anëtarët Lutfi Shala dhe Valon Kurtaj.
Prokuror i kësaj çështje është Rafet Halimi.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Përmes aktakuzës, Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.
Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.
Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.
Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.
E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.
Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale – keqpërdorim i autoritetit zyrtar, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për mashtrim me subvencione.
Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për marrje ryshfeti në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me veprën penale – dhënie ryshfeti.
Për veprën – falsifikim i dokumenteve ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastet e njohura si ‘subvencionet’ mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK.
Shënim: Artikulli është edituar më 30.08.2024, ora 13:15.