Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com
I akuzuari nuk pranon fajësinë për 88 qese me narkotikë
Erduan Ibrahimi, ka refuzuar të pranoj fajësinë sipas akuzës së Prokurorisë e cila e ngarkon atë për blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Në seancën e sotme gjyqësore, mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës, Ibrahimi tha se nuk është fajtor për veprën që i ngarkohet.
“Nuk jam fajtor sepse nuk e kom ble barin për me shit, po për me pi, se unë s’kam nevojë me shit se punoj në call center, e me dërgojnë para nga jashtë” tha ai.
Pasi i akuzuari u deklarua për mos pranim të fajësisë, u njoftua nga gjykatësi Hajraj që brenda 30 ditësh duhet të paraqesë kundërshtim lidhur karshi provave si dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.
Aktakuza thotë më 1 korrik 2021, në shtëpinë e të akuzuarit Ibrahimi, Njësia e DHTN-së në Mitrovicë me zbatimin e urdhrit verbal të gjykatësit, gjatë kontrollit kanë gjetur 88 qese të paketuara me narkotikë në çantën e krahut të të akuzuarit Ibrahimi.
E lidhur me këtë akuzë ai deklaroi para gjykatësit Mentor Hajraj se nuk është fajtor dhe se drogën e gjetur nga organet e rendit, e kishte për konsumim personal.
Sipas aktakuzës, pas ekspertizës pesha neto e narkotikëve të llojit marihuanë të gjetur ishte mbi 12 gram.