Seanca për vrasjen e Besart Hasanit

I akuzuari ndërpret seancën, thotë se u shqetësua nga kërcënimet

Tensione të shumta ka pasur sot në seancën gjyqësore në lidhje me vrasjen e Besart Hasanit.

Fillimisht, para nisjes së seancës pati tension në mes të akuzuarve dhe familjarëve të viktimës.

Me të nisur seanca ajo u desh të ndërprehet për shkak se i akuzuari Artan Ramadani tha se nuk po ndihet mirë.

“Kam shumë stres, kam kërcënime jashtë dhe brenda ,nuk mundem të vazhdoj pa e marrë ndihmën mjekësore”, tha Ramadani.

Albert, Artan ,Fadil dhe Argjend Ramadani si dhe Driton Krasniqi dolën sot para gjykatës si të akuzuar në rastin e  vrasjes së Besart Hasanit.

Vrasja kishte ndodhur vitin e kaluar në Ferizaj.

Albert  Ramadani akuzohet nga Prokuroria e Ferizajt se në shkurt të vitit 2018 me dashje dhe në mënyrë mizore e ka vrarë të dëmtuarin tani të ndjerin Besart Hasani për një mosmarrëveshje rreth një veture BMW X5 në vlerë 60 mijë euro të cilën veturë e kishte marrë Driton Krasniqi nga familja Ramadani me premtimin se do ta paguajë dhe të cilën nuk e ka paguar, ndërsa i ndjeri Besart Hasani ka qenë ndërmjetsues.

Ndërsa Artan,Argjend dhe Fadil Ramadani akuzohen nga prokuroria për pjesëmarrje në rrahje.

Driton Krasniqi akuzohet për mashtrim.