Foto: KALLXO.com

I akuzuar për krime lufte në fshatrat e Lipjanit, Goran Stanishiq nuk ndihet fajtor

I pandehuri Goran Stanishiq ka dalë sot në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale për për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.

Stanishiq po akuzohet se në bashkëveprim me persona të tjerë të paidentifikuar gjerë më tani, të forcave policore serbe, në prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Pas leximit të aktakuzës së nga prokurorja Drita Hajdari, i akuzuari Goran Stanishiq mohoi ta ketë kryer veprën penale e cila i vihet në barrë,  duke thënë se nuk ndihet fajtor për asnjë nga pikat e aktakuzës.

Këtë çështje penale- juridike është duke e gjykuar gjyqtari Valon Kurtaj.

Para se të vazhdohej me leximin e aktakuzës, gjyqtari Kurtaj njoftoi të pranishmit dhe mediat se gjyqtari i procedurës paraprake kishte marrë vendim në të cilin ka urdhëruar që të mos publikohen emrat e dëshmitarëve.

Gjyqtari Kurtaj udhëzoi të akuzuarin për të drejtën e tij në ushtrimin e kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave brenda afatit të paraparë ligjor.

Seanca e shqyrtimit të dytë gjyqësor u caktua për më 1 prill.

Dosja e Prokurorisë Speciale shpjegon se i pandehuri Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Akti akuzues e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të Policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale – krimet e luftës kundër popullsisë civile.