I afërmi i Qerim Kelmendit u intervistua në prokurori pak orë para vrasjes së tij

Disa orë para se Qerim Kelmendi të gjendej i karbonizuar në makinën e tij në fshatin Zahaq të Pejës, Prokuroria e Pejës kishte intervistuar një të afërm të tij si dëshmitar për njërën nga vrasjet e pasluftës.

Burime brenda prokurorisë së Pejës kanë sqaruar se Alban Dizdari, i afërm i Kelmendit, është intervistuar si dëshmitar në hetimet që Prokuroria është duke i zhvilluar për vrasjen e ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdari.

Hajdari ishte vrarë në Pejë në janar të vitit 2002 në rrethana ende të pasqaruara.

Lajmi për intervistimin e Dizdarit është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Mund t’ju konfirmoj se prokuroria ka intervistuar një person si dëshmitar të këtij rasti. I njëjti nuk ka qenë bashkëpunues me prokurorinë në deklaratën e tij në prokurori”, ka thënë Nikçi.

Dizdari është duke u mbajtur në burg si pjesë e grupit të Bedri Krasniqit ku janë duke u gjykuar për trazirat e marsit 2004 dhe vrasjen e dy policëve, njërit të Kosovës dhe tjetrit të UNMIK-ut.

Qerim Kelmendi u gjet i vdekur në orën 01:27 të mëngjesit të djeshëm. Ai u gjet brenda një veture të djegur në fshatin Zahaq në Pejë.

Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës vetura ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri..

Zenel Kelmendi, vëllai i Qerim Kelmendit i cili u gjet i vdekur brenda një veture të djegur në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë dyshime në askënd deri më tani.

Reagimi i Ibrahim Kelmendit pasi vëllai i tij, Qerimi, u gjet i vdekur në Pejë