Hysni Gucati: Jam i pafajshëm kundrejt akuzave të prokurorisë

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati gjatë deklarimit të tij në Dhomat e Specializuara të Hagës ka thënë se është i pafajshëm kundrejt akuzave të Prokurorisë Speciale.

Gucati është shprehur se derisa kishte vepruar për anëtarët e OVL-UÇK-së ai gjithnjë ka vepruar në interes të organizatës. E duke vepruar në interesa të anëtarësisë kjo përfshin shprehjen e mendimeve të anëtarëve të veteranëve OVL-UÇK-së.

Kurse sa i përket themelimit të Dhomave të Specializuara Gucati ka thënë se obligim i tij ishte që të vepronte dhe t’i mbronte ata.

“Në shtator të 2020, unë jam ballafaquar me marrjen e një vendimi si kryetar i OVL-UÇK-së. Pas arritjes së papritur të dokumenteve në zyrën tonë, unë mora vendim me anëtarët e pranishëm dhe Këshillin Drejtues. Ky vendim për aq sa më përket mua ka qenë në interes të anëtarësisë së OVL-UÇK-së”, ka deklaruar Gucati.

Gucati tutje ka rrëfyer edhe momentin e tij të arrestimit më 25 shtator 2020.

“Me 25 shtator 2020, jeta ime dhe e familjes sime ndryshoi, dhe asnjëherë skam menduar të fshihem pas vendimeve qe janë marrë në shtator të vitit 2020. Jam ballafaquar me pasojat e arrestimit tim, kam respektuar ndjenjën e përgjegjësisë që gjithmonë e kam pasur”, ka thënë Gucati.

Gucati më tej është deklaruar se ndihet i pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë.

“Siç ia ka shpjeguar gjykatës shumë qartë avokati im, unë jam i pafajshëm sa i përket akuzave ndaj meje. Unë kam vepruar siç kam bërë gjatë gjithë jetës nga ndjenja e sinqerta. Gjatë 25 viteve të fundit si anëtarë i OVL-së unë kam vepruar nga ndjenja e përgjegjësisë për anëtarët e organizatës”, ka përfunduar Gucati.