Dibran Hoxha gjatë seancës gjyqësore. Foto: KALLXO.com/22.11.2024

Huqja e medias për Gjykatën se ku po mbahet procesi ndaj Dibran Hoxhës

Në raportimet e përditshme për proceset gjyqësore, verifikuesit e fakteve kanë gjetur situate kur adresat në të cilat mbahen gjykimet janë të pasakta.

22.11.2024, në portalin Indeksonline, është publikuar një artikull (arkiva), nga një gjykim, i cili është zhvilluar në Gjykatën e Prishtinës.

Në këtë artikull, është i vendosur ky mbishkrim: ‘Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda është duke u zhvilluar seanca gjyqësore kundër Dibran Hoxhës, i vetëshpallur si ‘King Kobra’’. Ky informacion del të jetë i pasaktë, pasi që procesi nuk është duke u mbajtur në Departamentin për Krime të Rënda. Mirëpo, në një Departament tjetër, të ndarë, të Gjykatës – që ka emrin Departamenti Special.

Verifikuesit e fakteve kanë siguruar edhe Aktakuzën, ndaj Dibran Hoxhës dhe të tjerëve, në bazë të së cilës, po ashtu, vërtetohet se kjo çështje është duke u trajtuar në kuadër të Departamentit Special të Gjykatës së Prishtinës.

“Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special për Lëndët në Kompetencë të PSRKS-së, Aktakuzë kundër të pandehurve: Dibran Hoxhaj, Roland Susuri, Arben Bezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badallaj” – është hyrja e Aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ndaj të akuzuarve.

Së pari, ky artikull del të jetë i pavërtetë, në momentin kur i referohet Departamentit për Krime të Rënda – duke marrë parasysh se kjo çështje penale po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Për këtë çështje penale, Aktakuza është duke u përfaqësuar nga prokurorja Florije Salihu- Shamolli. Salihu- Shamolli është prokurore Speciale.

Ndërkaq, trupi gjykues, nga i cili po trajtohet ky rast, përbëhet nga: Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues dhe anëtarët: Ngadhnjim Arrni e Vesel Ismajli.

Kujtojmë se Kujtim Krasniqi është gjyqtar, i cili vepron në kuadër të Departamentit Special të Gjykatës së Prishtinës. Po ashtu, edhe gjyqtarët, Ngadhnjim Arrni e Vesel Ismajli.

Kujtim Krasniqi, nga muaji dhjetor 2020, është gjyqtar i caktuar, në kuadër të Departamentit Special – pozitë kjo të cilën ende e mban.

Gjyqtari Vesel Ismajli, nga muaji janar 2021, është gjyqtar i përzgjedhur, në kuadër të Departamentit Special të Gjykatës së Prishtinës – pozitë kjo të cilën vazhdon ta ushtrojë ende.

 

Për cilën vepër është duke u akuzuar Dibran Hoxha?

Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V. C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të vet ‘Cobra City’, në Prizren. Sipas Aktakuzës, vrasja ka ndodhur për ‘motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë’.

Dibran Hoxha është duke u akuzuar për veprën penale: ‘Vrasje e Rëndë’, nga neni 173, par.1, nën par.1.5 e 1.8.

“Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, dënohet personi i cili: privon nga jeta personin tjetër dhe, me atë rast, me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë; dhe, privon nga jeta personin tjetër nga hakmarrja e paskrupullt.

Cilat vepra penale është kompetente t’i hetojë Prokuroria Speciale?

Prokuroria Speciale është kompetente t’i hetojë dhe t’i ndjekë veprat penale, për të cilat parashihet dënimi me dhjetë (10) vjet e më shumë burgim. Veprat penale të korrupsionit zyrtar, veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe veprat penale të pranimit ose dhënies së ryshfetit, në sektorin privat. Me kusht që, dëmi i shkaktuar, apo dobia pasurore e përfituar nga vepra penale, është më shumë se pesëqind mijë (500,000.00) euro.

Prokuroria Speciale është organ i specializuar për hetimin dhe ndjekjen penale, e cila vepron si një organ i shkallës së parë – në kuadër të sistemit Prokurorial të Kosovës.

 

Dosja e Prokurorisë

Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V. C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të vet ‘Cobra City’, në Prizren.

Sipas Aktakuzës, vrasja ka ndodhur ‘për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë’.

Dosja thotë se deri tek vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës, e të dëmtuarve: Rutgen Tsyatkova e Arben Basha. Sipas Dosjes, këta të fundit kanë hyrë në veturë për t’u larguar. Por, në atë kohë arrin Kobra, i cili ishte njoftuar për ngjarjen.

Në Dosje, thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur. Në atë moment, Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, me këtë rast me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin, Rutgen Tsyatkova.

Më tutje, në Dosje thuhet se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë: ka goditur viktimën V. C., i cili ka qenë i ulur në pjesën e pasme të makinës. I njëjti rrugës për në spital, kishte ndërruar jetë.

Për këtë, Prokuroria e ngarkon me ‘Veprën penale të vrasjes së rëndë’. Si dhe, ‘për armëmbajtje pa leje’.

Të akuzuarit: Roland Susuri e Burim Mazreku akuzohen për: ‘manipulim me prova’.

Roland Susuri, Jetmir Badallaj e Arben Vezaj akuzohen për: ‘pjesëmarrje në rrahje’. Ndërkaq,  R. Susuri dhe J. Badallaj po akuzohen edhe për: ‘armëmbajtje pa leje’.

Raportimet e KALLXO.com lidhur më këtë çështje mund t’i gjeni, këtu: LINK.