Hulumtimi i KALLXOPernime - Burri i prokurores Ervehe Gashi sot pritet të dalë para gjykatës

Bajram Gashi, bashkëshorti i prokurores së krimeve të rënda në Prizren, Ervehe Gashi, pritet të dalë sot për herë të para gjykatës nën akuzat për ushtrim ndikimi.

Mbi të po rëndojnë akuzat për ushtrim ndikimi pasi së bashku me një tjetër person po akuzohen se kishin kërkuar para për të ndikuar në rastin të cilin po e hetonte bashkëshortja e tij, prokurorja Ervehe Gashi.

Ky rast u bë publik  kur #KALLXOPernime shfaqi hulumtimin në të cilin shiheshin pamjet tek dorëzoheshin para në emër të ushtrimit të ndikimit.

Në këtë rast penal përpos bashkëshortit të prokurores, Bajram Gashi, akuzohen edhe Rizan dhe Dardan Hoxhaj.

Të tre akuzohen për ushtrim të ndikimit.

Sipas aktakuzës, burri i prokurores Ervehe Gashi, Bajram Gashi së bashku me Rizan Hoxhën kishin kërkuar nga Dardan Hoxha shumën prej 6000 euro me qëllim që të ndikonin tek prokurorja që i njëjti të mos akuzohej për të gjitha veprat penale për tw cilat ishte duke u hetuar nga prokurorja Gashi.

Këto para sipas prokurorisë, janë kërkuar me qëllim që Bajrami të ushtronte ndikim tek bashkëshortja e tij prokurore, e cila ishte duke zhvilluar procedurën penale kundër Dardan Hoxhës.

Akuzat rëndojnë edhe mbi Dardan Hoxhën. Ai sipas prokurorisë i kishte dhënë shumën prej 6000 euro Rizan Hoxhës me qëllim që ky t’i dërgonte këto para tek Bajrami me qëllim që të ndikonte te prokurorja.

Në fillim të muajit prill #KALLXOPernime publikoi hulumtimin që shfaqi dyshimet për njërën nga aferat e mëdha të keqpërdorimeve në rajonin e Prizrenit.

Këto dyshime u paraqitën pasi Dardan Hoxhaj denoncoi rastin në emisionin #KALLXOPernime.

Dardani, një i dënuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, ka rrëfyer në emision se ka paguar mbi 5 mijë euro ryshfet, para këto të cilat, sipas tij, i janë kërkuar për të lehtësuar lëndën në Prokurorinë e Prizrenit.

Dosja e tij, sipas hulumtimit të KALLXO.com, ishte hetuar nga prokurorja Ervehe Gashi, ndërsa Dardani ka filmuar një moment kur i dorëzon rreth 5 mijë euro në dorë të Rizan Hoxhës, një mik i burrit të prokurores që po e hetonte rastin.

Pas dorëzimit të parave Dardani ka rrëfyer se babai i tij, Sadik Hoxha, ishte takuar me burrin e prokurores Ervehe Gashi në shtëpinë e vikendit të këtij të fundit.

Takimi kishte ndodhur në kohën kur prokurorja ishte duke e hetuar rastin dhe Sadik Hoxha ishte pjesë e hetimit penal në këtë dosje.

Sadik Hoxha ka rrëfyer se gjatë kohës kur ai ishte duke u hetuar ishte takuar dy herë me burrin e prokurores për të diskutuar për lëndën.

Pas transmetimit të hulumtimit nga #KALLXOPernime, kishte reaguar edhe Kryepokurori i Shtetit – LINK