Foto: Ilir Baldedaj/Facebook

Hulumtimi i KALLXO.com për laptopët rezulton me aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Ramadan Mujës

Prokuroria në Prizren ka ngritur sot aktakuzë ndaj një ish-zyrtari të lartë të komunës së Prizrenit, pas një hulumtimi të KALLXO.com në shkurt të këtij viti se si asamblistët e mandatit të kaluar nuk i kanë kthyer laptopët pas përfundimit të mandatit.

Hulumtimi tregonte se kjo përbënte shkelje ligjore sipas rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës.

Prokuroria e Prizrenit sot ka ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedajt, ish-drejtor i Administratës Publike të Prizrenit në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.

Ilir Baldedaj që aktualisht është asambleist në Kuvendin Komunal të Prizrenit nga AAK ka ushtruar funksionin e Drejtorit të  Administratës së Komunës së Prizrenit gjatë qeverisjes Muja 2.

Baldedaj akuzohet se prej datës 13.05.2018 e deri me datën 22.05.2018 ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare (laptopë dhe çanta të laptopëve) për asambleistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh.

Në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asambleistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parasheh Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore.

Aktakuza thotë se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.

KALLXO.com ka raportuar për kallëzimin penale të paraqitur ndaj Ilir Baldedaj nga shefi i zyrës ligjore të Komunës së Prizrenit për zhdukjen e 3 laptopëve.

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Në një prononcim për KALLXO.com, Baldedaj kishte thënë se ka qenë një komision i themeluar edhe për pranim edhe për shpërndarje të këtyre laptopëve dhe se ai ka zhvilluar vetëm si procedurë kështu që ai s’ka të bëjë asgjë me atë çështje.

“Absolutisht nuk besoj që ka asnjë drejtor që merret me shpërndarje të laptopëve. Këtë e ka rregulluar komisioni i veçantë i themeluar për atë procedurë”.

KALLXO.com në hulumtimin e publikuar ka gjetur se asambleistët obligohen t’i kthejnë asetet komunale, të blera nga taksapaguesit. Por, edhe pse kishte kaluar një periudhë kohore nga përfundimi i mandatit të asambleistëve, asnjë nga ta nuk i ka kthyer laptopët.

Në Komunën e Prizrenit për KALLXO.com kishin thënë se ishin shpërndarë 43 laptopë. 40 prej tyre i janë dhënë kuvendarëve. Tre laptopë të tjerë, Komuna nuk ka pasur informacione se kujt i janë ndarë, pasi nuk ka asnjë dokument që e dëshmon pranimin e tyre.

Në muajin prill të këtij vitit Komuna e Prizrenit kishte hapur tender për blerjen e 45 laptopëve në vlerë deri në 30 mijë Euro.

Komuna e Prizrenit hap tender për blerjen e 45 laptopëve

Në mbledhjen e 18 korikut, asambleistët e Prizrenit kishin testuar për herë të parë laptopët e rinjë të blerë nga Komuna e Prizrenit.

Deputetët e Prizrenit i testojnë laptopët luksozë

Por kësaj radhe Drejtori i Administratës Osman Hajdari, kishte deklaruar për KALLXO.com se janë kujdesur që asambleistët të obligohen që pas përfundimit të mandatit t’i kthejnë laptopët.

Sipas drejtorit të administratës në Prizren, asamblistët në momentin kur kanë pranuar laptopët kanë nënshkruar një deklaratë me të cilën obligohen të kthejnë pajisjet në përfundim të mandatit.