Hulumtimi i KALLXO.com, pas suspendimit të gjykatësit Livoreka, nisin procedurat edhe ndaj gjyqtarit Hashim Çollaku

Hashim Çollaku, gjyqtar në Gjykatën e Apelit pritet të përballet me procedura disiplinore për shkak se kishte gjykuar një çështje penale në të cilën palë ishte bashkëshortja e tij.

Rasti është bërë publik në emisionin #KallxoPernime, ku janë përshkruar veprimet e gjyqtarit Çollaku në atë çështje penale.

Pas publikimit të emisionit Zyra Ligjore e KALLXO.com i është drejtuar u.d. kryetarit të Gjykatës së Apelit, Afrim Shala, me kërkesën e fillimit të procedurave ndaj gjyqtarit Çollaku.

Pak kohë pas kësaj kërkese KALLXO.com është informuar përmes u.d. kryetarit të Apelit se kanë nisur zyrtarisht procedurat ndaj gjyqtarit Hashim Çollaku.

“Ju njoftoj se pas pranimit të kërkesës nga ana juaj, kam iniciuar procedurën disiplinore”, ka thënë Shala përmes telefonit tër KALLXO.com.

Gjyqtari Hashim Çollaku trajton lëndët në Gjykatën e Apelit ndër të cilat kishte vendosur edhe për çështjen penale PA1.nr.1000/20.

Në këtë çështje përkundër faktit se palë në procedurë ka qenë bashkëshortja e tij Myrvete Çollaku, gjykatësi kishte vendosur që ta aprovonte pjesërisht ankesën e saj.

Myrvete Çollaku kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës së Prizrenit në lidhje me sanksionin penal kundër të pandehurit Xhemajl Kabashi.

Sipas Ligjit, gjyqtarët janë të obliguar që të paraqesin konfliktin e mundshem të interesit si dhe të kërkojnë përjashtimin e tyre nga çështja në rastet kur palë në procedurë është familjari i tyre.

KALLXO.com raportoi se më pak se 24 orë pas transmetimit të hulumtimit të emisionit #KallxoPernime, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur ta suspendojë gjyqtarin Riza Livoreka.

Këshilli ka njoftuar se ka mbajtur një takim në të cilin është shqyrtuar edhe hulumtimi i transmetuar mbrëmë në “Kallxo Përnime”, ku u shfaq një rast në të cilin gjyqtari Riza Livoreka u kishte kërkuar palëve të arrinin një marrëveshje jashtëgjyqësore.

Gjykatësi Livoreka, i cili shërben në Kaçanik, u filmua duke biseduar me një palë në procedurë dhe duke i kërkuar atyre të realizonin marrëveshje ose në të kundërtën prona do t’u merrej.

Pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime” suspendohet gjyqtari Riza Livoreka

Emisionin e plotë mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.